14 Gusht, 2018 - 5:01 pm
Parkingu Nëntokësor tek Fakulteti Filologjik, është një nga projektet e mëdha të Kryeqytetit që do të ndërtohet përmes Partneritetit Publiko-Privat.
Deri në fillim e punimeve, janë tri faza procedurale nëpër të cilat duhet të kalohet:
1. Shpalla e kërkesës për kualifikim
2. Shpallja e kërkesës për propozim
3. Përzgjedhja e ofertuesit më të suksesshëm
“Kërkesa për kualifikim ka për qëllim që t’i përzgjedhë kompanitë që kanë potencial financiar dhe operativ për realizuar projektin, dhe bazohet në kualifikimet minimale teknike si dhe kualifikimet minimale financiare. Në fazën e parë kanë aplikuar 6 kompani/konzorciume serioze, dhe tani jemi duke e shqyrtuar dokumentacionin e tyre. Brenda pak ditësh, do të dalim me rezultatet, me c’rast mbyllet faza e parë dhe shpallet kërkesa për propozim. Do të jenë 40-60 ditë afat për t’i dërguar propozimet, dhe më pas futemi në vlerësim të detajuar të secilës ofertë. Deri në muajt e fundit të këtij viti, presim që të dalim me ofertuesin më të suksesshëm, të nënshkruajmë kontratën dhe kësisoj të krijohen kushtet për fillimin e punëve”, tha Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota, në prezantimin që e bëri para gazetarëve për këtë projekt.
Sipërfaqja e ndarë për parking nëntokësor është 13,990 metër katror, dhe është planifikuar që të ndërtohen në 2 etazhe. Disniveli në pjesën perëndimore të lokacionit, mund të shfrytëzohet për ndërtimin e disa lokaleve afariste, në sipërfaqe të përgjithshme prej 500 metrash katror. Një prej pjesëve të rëndësishme të këtij projekti, është parku mbi parking, i cili do të jetë edhe Parku Qendror i Kryeqytetit. Secili ofertues duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë dukjes së këtij parku./KultPlus.com