16 Maj, 2021 - 8:45 pm
Parku Kombëtar Arkeologjik i Apollonisë është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të qarkut të Fierit e më gjerë, i cili këtë sezon turistik po tërheq një numër të konsiderueshëm vizitorësh vendas e turistë të huaj.
Rihapja e muzeut arkeologjik, përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e cilësisë së shërbimit në parkun kombëtar të Apollonisë janë disa nga faktorët që kanë çuar në rritjen e numrit të vizitorëve. Por dhe peizazhi magjepsës, objektet dhe monumentet e shumta që mbart, vula e zhvillimit të antikitetit, e bëjnë qytetin antik që të jetë në vëmendje të vizitorëve. Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit.
ODEONI I APOLLONISË
Disa nga objektet arkeologjike dhe statujat u përvetësuan nga vendet e tjera para vitit 1945. Ato që kanë mbetur janë vendosur në një muze që ndodhet në një manastir të shekullit XIII. Në kopshtin e Manastirit ndodhet edhe një kishë bizantine që i përket shekullit të XIV.
Me interes të madh për vizitorin në Apolloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë etj.
Territori i madh i mbuluar me monumente, panoramat dhe peisazhet e mrekullueshme mbi fushën e Myzeqesë dhe Detin Adriatik nga njëra anë si dhe rruga automobilistike në gjendje të shkëlqyer, pozita e favorshme gjeografike pranë qyteteve të mëdha dhe plazheve të jugut nga ana tjetër e bëjnë Parkun Arkeologjik Apolonia lehtësisht të arritshëm për vizitorin dhe një destinacion të privilegjuar për turizmin kulturor në Shqipëri./ KultPlus.com