Parku Arkeologjik i Finiqit në Shqipëri, destinacion kulturor e turistik

26 Prill, 2019 - 8:50 pm

Qyteti i lashtë i Finiqit përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pa ndarë e trashëgimisë shqiptare kulturore.

Qyteti antik i Foinikës mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005.

Foinikia ka një histori të lashtë. Ai ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit. Sipas Polibit, ka qenë qyteti më i fortifikuar i Epirit. Ngrihej në një kodër në formën e një anijeje të përmbysur.

Fshati i sotëm ndodhet në rrëzë të kësaj kodre. Ka tri seksione muresh të ruajtura në kodër: muret e akropolit, muret e periudhës së zgjerimit të akropolit dhe muret e qytetit të fortifikuar. Këto mure, që dallohen për vëllimin e tyre të madh, datohen me përafërsi midis shek. IV dhe II p.k.r. Në brendësi të mureve ndodhen rrënojat e mureve greke dhe romake. Në fshat ka mbetje të mureve greke, por ato romake janë më të shumta në numër.

Tek akropoli është zbuluar një thesar i vogël, që në periudhën bizantine u shndërrua në baptister. Po ashtu është zbuluar një teatër me kapacitet të madh. Janë gjendur edhe tri cisterna që i përkasin periudhës midis shek. V dhe shek. III para. Kr. dhe disa rrënoja ndërtesash. Prej vitit 2000 një mision arkeologjik i Universitetit të Bolonjës (Itali), kryen rregullisht gërmime arkeologjike.

Finiqi është një fshat në Bashkinë Finiq në rrethin e Delvinës të Shqipërisë e që gjendet në grykën e Bogasit. Njësitë administrative përbërëse janë Finiq, Aliko, Mesopotam, Dhiver dhe Livadhja. Bashkia e re e Finiqit kufizohet në veri me bashkinë Delvinë, në jug me bashkinë Konispol, në lindje me bashkinë Dropull dhe në perëndim me bashkinë Sarandë, transmeton koha.net

Sipas Censusit të vitit 2011 numëron një popullsi prej 11,862 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 39,055 banorë në një sipërfaqe prej 441.20 km2. Në bazë të të dhënave të censusit, densiteti i popullsisë është 26.7 banorë për km2 ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 88.51 banorë/km2.

Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Mund të vini në park me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën nacionale Sarandë-Gjirokastër dhe duke u kthyer në fshatin e Finiqit. Në qendër të fshatit, do të gjeni një rrugë të asfaltuar e cila do t’ju çoj në kodrën ku ndodhet parku.

Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës.

Sot ky park është një destinacion i mirëfillt turistik, ku vizitor të shumtë njihen aty me historinë dhe antikitetin./ KultPlus.com

Të ngjajshme