29 Gusht, 2020 - 12:00 pm
Për të dymbëdhjetin vit radhazi rifilluan gërmimet arkeologjike të projektit shqiptaro-zviceran në parkun arkeologjik të Orikut.
Këto gërmime po realizohen nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë, Universiteti i Gjenevës në Zvicër dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë bën të ditur se “këtë vit, gërmimet arkeologjjke janë fokusuar në pjesën veriore të fontanës monumentale si dhe anën jug-lindore të murit fortifikues”.
Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl para Krishtit, në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V para Krishtit, si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.
Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnjë), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut. atsh / KultPlus.com