Parqet arkeologjike, Margariti: 88 857 vizitorë në pesë muajt e parë të 2023

13 Qershor, 2023 - 10:18 pm

Parqet arkeologjike në vendin tonë kanë zgjuar interesin e një fluksi të lartë turistësh vendas e të huaj, gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2023.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau statistikat e periudhës janar-maj 2023 mbi numrin e vizitorëve në parqet arkeologjike, ku vihet re rritja e ndjeshme e tyre krahasuar me vitet paraardhëse

“Viti 2022 ishte viti i ringritjes pas pandemisë, por 2023 është ai gjatë të cilit ecim të sigurt në përforcimin e vetëdijes se turizmi kulturor ka një rëndësi të veçantë për ekonominë e vendit. Një rritje të ndjeshme të vizitorëve numërojmë në parqet tona arkeologjike, të cilat janë hapësirat e duhura edhe për vizitorët vendës, të cilët shijojnë trashëgiminë dhe natyrën bashkë me familjet”, tha Margariti.

Sipas statistikave, në janar-maj të këtij viti parqet arkeologjike u vizituan nga 88 857 vizitorë, në të njëjtën periudhë të vitit 2022 u vizituan nga 59 989 vizitorë, në 2021 nga 23 637 vizitorë dhe në 2020 nga 10 852 vizitorë.

Shqipëria ka një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj. Këto parqe kanë interes pasi tregojnë historinë dhe kulturën, si dhe janë dëshmi e gjurmëve që ka lënë historia në to./KultPlus.com

Të ngjajshme