20 Shkurt, 2020 - 9:30 am
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në zbatim të mandatit ligjor, ka mbajtur takim koordinues me institucionet dhe akterët nga niveli lokal dhe ai qendror të cilët kanë përgjegjësi ligjore, për ruajtjen dhe mbrojtjen trashëgimisë kulturore në Komunën e Prizrenit.
Kjo ftesë vjen pas rastit të fundit të përfshirjes nga zjarri ditë më parë të njërit prej aseteve të trashëgimisë kulturore në Prizren.
Duke marrë parasysh situatën e krijuar, pas zjarrit të paraqitur më 08.02.2020, me ç’rast është djegur Ndërtesa Austriake, e cila gjendej në kuadër të ish-Fabrikës së Barnave “Farmakos”, njëkohësisht edhe në kuadër të Kompleksit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potokmahallës (Ansambël në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të përkohshme), QRTK në Prizren ka dërguar ekipet profesionale në vend të ngjarjes, dhe ka hartuar një raport së bashku me rekomandimet për hapat e mëtutjeshëm. Si rrjedhojë e rekomandimeve, është mbajtur takimi koordinues.
Gjatë këtij takimi palët pjesëmarrëse konfirmuan gadishmërinë për bashkëpunim dhe u dakorduan me rekomandimet e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.
Palët u pajtuan për hapat e mëtutjeshme të bashkërenditura:
Institucionet kompetente të Komunës së Prizrenit do të ndërmarrin veprimet e duhura në ditët në vijim duke e bërë pastrimin e lokacionit, me qëllim të ofrimit të kushteve për të bërë incizimin e gjendjes aktuale si dhe do të merren masat për sigurimin e parcelës, me qëllim të mënjanimit të hyrjes së pakontrolluar në vend të ngjarjes.
Pas pastrimit të terrenit dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për punë, bashkëpunëtorët profesional të QRTK-së në Prizren, do të angazhohen për hartimin planit të gjendjes ekzistuese, si dhe hartimit të projektit të rikonstruimit të ndërtesës, duke u bazuar në të dhënat arkivore.
Po ashtu si vazhdimësi e këtyre përpjekjeve, palët janë dakorduar që edhe në të ardhmen të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre për realizimin e objektivave të përbashkëta për mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore në Komunën e Prizrenit dhe më gjërë. / KultPlus.com