29 Shtator, 2021 - 10:15 am
Kalaja e Rozafës në Shkodër pas ndriçimit të saj është kthyer në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, solli në vëmendje në kuadër “Muajit të Trashëgimisë” ndriçimin e kalasë së Rozafës, i cili u bë i mundur nga Ministria e Kulturës.
Ky projekt parashikon investimin në 14 kala, mes tyre edhe në atë të Shkodrës, ku janë ndriçuar ambientet e brendshme dhe të jashtme të kalasë së Shkodrës.
“Ditë të mbarë! Rozafa, kjo “zonjë” e rëndë shkodrane doli në dritë falë projektit të ndriçimit, financuar nga Ministria e Kulturës”, – tha Margariti.
Kalaja e Rozafës është monumenti historik më antik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. / KultPlus.com