27 Qershor, 2019 - 1:15 pm
Nisi lundrimin sot anija e parë turistike në Durrës, duke shtuar kapacitetet për turistët që vizitojnë Shqipërinë.
I pranishëm ishte dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i cili tha se, “është pak e habitshme pse kaq vonë, por mbase edhe sot që kemi anijen e parë kuptojmë që sa probleme kemi me këtë fushë, me këtë biznes, me rregullat sesi lundrohet, ku parkohet, cilat janë lehtësirat që duhet të marrin këta investitorë për sa i përket menaxhimit më të thjeshtë të këtyre anijeve turistike dhe të mos ngatërrohen me problematikat që kanë biznesi i jahteve apo gjërave që kalojnë kufirin. Pra ka problematika të cilat ne duhet t’i zgjidhim të gjithë së bashku. Por unë më shumë se kaq dhe prandaj kërkuam ta realizojmë këtu në mes të detit një takim me të gjithë ju, investitorët e hoteleve të bregdetit të Durrësit dhe më gjerë se kaq, me të gjithë kryetarët e shoqatave që shumë faleminderit që jemi bashkë këtu për të hapur një debat të ri në vendin tonë që ka të bëjë me turizmin e detit”.
Sipas tij, në Shqipëri flitet shumë pak për bregdetin, plazhet, për investimet në rërë, pra për industrinë e detit në tërësi.
“Unë ju siguroj që ju duhet ta rishikoni këtë pjesë të biznesit pasi ai zhvillim që shikojmë që këtu që ka ndodhur në rërë, shumë shpejt duhet të ndodhë edhe në det. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të disafishojë potencialin e saj turistik duke investuar në biznesin e detit. Ky vend duhet të ishte plot me jahte, me anije të shpejta me gjithë biznesin që ofron deti por dhe shërbimin që duhet të ketë në tokë, për detin. Tani jeni në një fazë që ju pothuajse i keni mbaruar hotelet tuaja, jeni në fazën e shtimit të hoteleve të reja, por kjo nuk mjafton. Ne na duhet që ta disafishojmë potencialin tonë duke folur për detin, për marinat, për portet e mëdha apo të vogla të jahteve, por edhe për shërbimin që duhet të krijojmë në det”, tha ministri Klosi.
Nga Durrësi, në një udhëtim simbolik me anijen e parë turistike në rajonin bregdetar të Durrësit, ministri i bëri thirrje komunitetit të biznesit të investojë për krijimin e një industrie të re në hoteleri, që është industria e detit.
Klosi tha se, “të shikojmë me shpejtësi politika të reja për detin dhe të kemi mundësinë që të krijojmë një biznes që padyshim t’i afrohet Shqipërisë dhe ne të jemi pionierët dhe ta ndërtojmë së bashku me rregulla të reja, me parime të reja, me norma të reja, dhe natyrisht me më shumë biznes për ju. Përmes anijes së parë turistike në Durrës, turistët e huaj do të kenë mundësi të vizitojnë bukuritë e Kepit të Rodonit, të Bisht Pallës, të kenë mundësinë të vizitojnë Durrësin antik nën det, të kenë mundësinë që të vizitojnë pasuritë e mëdha natyrore që kanë zonat e mbrojtura që janë në të dyja krahët e gjirit të Durrësit”.
“Ky det duhet të shfrytëzohet më shumë dhe kjo ka nevojë që edhe ju biznesi lokal i Durrësit dhe i gjithë bregdetit të keni mundësi që të shikoni më shumë shërbime për detin.
Mbase ai agresiviteti i Vlorës do të vijë edhe në Durrës që të shtohen anijet. Në Vlorë vjet ka pasur 2 anije, sivjet ka 27 anije dhe kjo është një çmenduri dhe shpresojmë që ky biznes do të fillojë edhe në Durrës me shpejtësi”, tha ministri. /atsh / KultPlus.com