22 Janar, 2019 - 4:30 pm
Gili Hoxhaj
“Pasta Fasta” është një nga lokalet më të veçanta në kryeqytet që shquhet për veçantinë e gatimit dhe shërbimit. Aty pastat e ndryshme mbështillen me llojet e ndryshme të salcave duke i dhënë klientëve shije nga më të ndryshmet. Që nga fillimi ky lokal veçse ka pasuruar servimin e salcave, duke ju përshtatur shijes së klientëve, po në të njëjtën kohë edhe duke e krijuar shijen e tyre duke ju ofruar pasta me shije të ndryshme të salcave. Ajo që i bën ato më të veçanta është freskia e produkteve me të cilën përgatiten. “Pasta Fasta” karakterizohet me një vend ku pastat shërbehen shpejtë por përgatiten ngadalë e me shumë kujdes, duke u vendosur produkte sa më të shëndetshme.
Gjatë ditës, të shumtë janë ata që hyjnë e dalin në këtë lokal, e të tjerët produktet e tyre i shijojnë nga ambiente më të largëta, pasi që “Pasta Fasta” ka zgjeruar rrethin ku transporton ato. Njerëz të moshave e profileve të ndryshme ndajnë të njëjtën hapësirë në “Pasta Fasta”, një ambient jo dhe shumë i gjerë por me mjaft rehati e ngrohtësi. “Pasta Fasta” gjendet në qendër të kryeqytetit, në Sheshin Nënë Tereza, rruga Hajdar Dushi, nr 12.
Oresa Rafuna sot ka ardhur për herë të parë në “Pasta Fasta”, por thotë që nga tani ardhjet e saj do të jenë edhe më të shpeshta.
“Këtu kam shijuar pasta që e kanë një shije shumë të mirë. Edhe pse sot është hera e parë, jam e sigurte që do të vazhdoj të vijë sa më shpesh këtu, sepse jam ndarë shumë e kënaqur”, tregon Oresa Rafuna për KultPlus.
Oresa Rafuna po i shtohet listës së shumë klientëve të rregullt të këtij lokali. Arrita Plakolli- Haxhimehmeti, drejtuese e “Pasta Fasta” tregon se ndihet e gëzuar kur në lokal shohin fytyrat e njëjta. “Pasta-Fasta” e cila ka hapur dyert në maj të vitit të kaluar, ka lindur si koncept nga vizita e Arrita Plakolli-Haxhimehmetit në Francë. Arrita tregon se hapjes së lokalit i ka paraprirë një vit përgatitje sa i përket ambientit dhe organizimit të kuzhinës, si dhe konsultimit me punën e kuzhinierëve nga jashtë.
“Para shtatë vitesh kemi qenë në Francë dhe e kemi parë një koncept të ngjashëm siç është “Pasta Fasta”, por nga atëherë ka kaluar goxha kohë derisa e kemi marrë guximin që ta hapim, dhe e dinim që Prishtina ka nevojë për diçka të ngjashme”, tregon Arrita Plakolli-Haxhimehmeti, e cila pas tri viteve që kur kishte menduar për konceptin, ishte kthyer përsëri në Francë, ku për një sezonë kishte mbajtur një trajnim atje për organizmin e një lokali të tillë.
Arrita Plakolli-Haxhimehmeti e drejton këtë lokal së bashku me Talat Kelmendin, ndërsa së shpejti po përgatiten edhe për një “Pasta Fasta” më të gjerë sa i përket lokacionit, e cila do të hapet në rrugën B në Prishtinë. Arrita Plakolli-Haxhimehmeti tregon për parashikimet e saj të para për lokalin.
“Unë fillimisht e kam pasur frikën që ka me ec aq shumë sa nuk do të kemi kapacitet që t’i përmbushim kërkesat e konsumatorëve, se sa e kundërta. Fillimisht nuk kemi shkuar në marketing të tepërt dhe e kemi lënë që vet si lokal të masë kërkesat, por edhe lokacioni ka qenë i mirë dhe u përhapë shumë mirë”, shpjegon ajo.
“Pasta Fasta” ofron 18 lloje të salcave, 12 të nxehta dhe 6 të ftohta kurse janë 18 lloje të pastave që shërbehen vazhdimisht, por që “Pasta Fasta” ofron edhe mundësi të tjera jashtë këtyre, varësisht nga kërkesat e klientëve.
Në lokalin që pritet të hapet së shpejti në rrugën B, “Pasta Fasta” do të përfshijë edhe shumë risi që lidhen me fjalën “pasta”.
“Atje do të ketë edhe pasta homemade me ngjyra të cilat përfitohen nga perimet e freskëta, ëmbëlsira me pasta, pra të ketë risi pasi që nuk kam dëgjuar më parë që ka pasur ëmbëlsirë me pasta në tregun tonë. Tani jemi në bashkëpunim me një kuzhinier me renome që i ka të përfshira kuzhinën italiane, franceze , kusht që ëmbëlsira, sandwichat do të jenë diçka që tek ne nuk janë parë, kurse në Itali janë më të njohura”, tregon Arrita Plakolli Haxhimehmeti për KultPlus.
Arrita e cila gjithnjë ka qenë e pasionuar pas kuzhinës, thotë se në “Pasta Fasta”, artin mundohen ta japin përmes shijes dhe topera. Ajo thotë se i kushtojnë shumë kujdes që perimet dhe produktet që përdoren të jenë sa më të freskëta që klientit të mos ndahen të zhgënjyer.
“Që prej momentit kur e kemi hapur po mundohemi ta mbajmë të njëjtën shije dhe të njëjtin kualitet. Pastat nuk i ngrohim me mikrovalë por me ujë të nxehtë”, shprehet tutje Arrita, ndërsa tregon që çdo dy muaj kanë futur salca të reja, të cilat thotë se janë mirëpritur nga klientët sa që sot asnjë prej tyre s’mund ta heqin dhe as s’mund të përcaktohen se cila prej tyre është më e kërkuara.
“Për çdo dy muaj ose një muaj i kemi fut dy salca të reja pasi që s’kemi dashur as ne e as klienti të ngarkohet dhe që ta shohim se ku po shkojnë shijet. Por deri tani asnjë nga ato s’është që kemi mundur ta heqim, për shkak se vjen dikush dhe thotë se cilën ma preferon, nga ana e shitjes nuk mund të them se kjo apo kjo shkon më shumë ose kjo më pak”, shprehet ajo për KultPlus.
“Pasta Fasta”, çdo ditë pret klientë të rinj dhe është gjithnjë e gatshme të sjell produkte të reja, për të dhënë një përjetim ndryshe të paste-s./ KultPlus.com