Pazari i Vjetër i Shkodrës, “hipermarketi” më i madh mesjetar i Ballkanit

17 Prill, 2019 - 1:00 pm

Pazari i vjetër në Shkodër në kohën e lulëzimit të tij, u bë vërtetë një qytet i madh tregtar midis pjesës së vjetër dhe asaj të re të qytetit, i shtrirë në 1.8 km. gjatësi, ku vlonte tregtia dhe ku madhësia e tij lejonte të punonin dhe të blinin aty mbi 10000 njerëz.

Ndërsa në ditët e pazarit, ditët e diela apo të mërkura, aty mund të ishin prezentë më shumë se 30 mijë vetë, çka e tregonte edhe fakti se shkodranët e kanë pasur traditë dhe janë vlerësuar si “mjeshtërit” më të shkëlqyer në tregti.

Aso kohe në breg të Liqenit dhe lumit Buna ankoroheshin dhjetëra anije të vogla e të mëdha deri te avulloret 1000 tonelata, si dhe kishte edhe një pazar anijesh që ishte në “garë” me “Pazarin e Madh” por që ishte edhe si vazhdim i tij. Aty ishin ngritur magazina të mëdha për hyrje – dalje mallrash, kishte zyra të mëdha doganore si edhe banka dhe afër 1500 dyqane të pa përsëritshme, sot e kësaj dite.

Në të djathtë të Urës së Bunës ka qenë Zyra Doganore, ku kryheshin të gjitha veprimet financiare për import eksportet e mallrave në Shkodër, shkruan “Faktor.al”.

Dyqanet ishin vendosur në mbi 30 sokakët (rrugët) e pazarit, të cilat ishin ndarë sipas zanateve (zejeve) e ku punonin disa qindra zanatçinj e çirakë që mësonin e punonin çdo ditë. Brenda Pazarit të Vjetër kishte rregull dhe disiplinë të veçantë si edhe kryheshin shërbime kafeje, berberhaneje, hekurosje etj.

Gjatë kohës së punës, tregtarët për nevojat e tyre komunikonin njëri me tjetrin me anë dritaresh të vogla dhe në fund të ditës së punës, dyqanet mbylleshin me taraba, qepena, si dhe siguroheshin me roje dhe elemente të tjerë sigurie.

Vlen të informojmë lexuesit se Pazari i Vjetër përveç anës ndërtimore, ka qenë i sistemuar edhe në pjesën nëntokësore, e konkretisht ka pasur 5 kanale të tillë, të cilët largonin ujin nga pazari dhe ishin afër 1.8 metër të thellë. Kanali i parë mblidhte ujin e kodrave, i dyti përshkonte “sokakun e pemëshitësve”, një i tretë kalonte “skelën e peshkut”, i katërti përshkonte “sokakun e kasapëve” dhe i pesti kalonte përmes “Pazarit të madh”, por që të pesë këto kanale ujin e mbledhur e derdhnin në Bunë. Sigurisht që kanalet pastroheshin çdo vit nga punëtorë të veçantë. Pra, që në atë kohë sistemimit të pazarit i është dhënë një rëndësi e madhe si në anën ndërtimore ashtu edhe në relacion me funksionimin e plotë të tij për zhvillimin e tregtisë e të zejtarisë.

Kështu shumë shpejt Pazari i Vjetër u bë qendra më e madhe tregtare e trevave Shqiptare e më gjerë në eksport – importin e mallrave nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Manastiri, Bullgaria dhe anasjelltas, pra në gjithë Rumelinë e asaj kohe. Në planin tregtar dhe financiar, Pazari i Madh në Shkodër është vlerësuar nga të tjerët si “Hipermarketi” më i madh i asaj kohe në Ballkan, si dhe ka qenë i pakonkurrueshëm për nga madhësia, pasuritë që kishte brenda dhe kapacitetet përpunuese të mallrave, i krahasuar me pazaret e tjerë të fqinjëve tanë, çka vërteton se Shkodra ka qenë Metropoli i Arbërisë. / KultPlus.com


Të ngjajshme