28 Maj, 2018 - 12:00 pm
Pazari i Vjetër i Korçës është objekt me vlera të hershme historike, kulturore dhe artistike. Karakterizohet nga ndërtesa në përgjithësisht një dhe dy katëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Në shekujt e kaluar pazari ka qenë vendi i shkëmbimeve të tregtarëve që vinin nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia. Tregu me rreth 1.000 dyqane arriti kulmin e tij gjatë fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Në strukturën urbanistike të qytetit, pazari krijonte një ansambël më vete.
Të dy pjesët e pazarit që ndaheshin nga lumi lidheshin me ura të drunjta, ndërsa rruga kryesore që vinte nga qyteti, e kalonte lumin mbi një urë të gurtë me qemerë, sipër së cilës ngrihen dyqane. Pazari është djegur tre herë por është ndërtuar sërish. Tani pazari vazhdon të funksionojë njëlloj si më parë dhe ka vlera kulturore e monumentale.
Drejtori i Çmimeve të Zhvillimit të Europës ka njoftuar se Pazari i Korçës është nominuar në kategorinë e “Rinovimi i Projektit të Vitit”.
Ai shkruan: “Jam i nderuar t’ju njoftoj se rivitalizimi i Pazarit të Vjetër të Korçës është nominuar për çmimet e Europës në Zhvillim në kategorinë “Rinovimi i projektit të vitit””.
Çmimet e Europës në Zhvillim organizohen nga një numer ekspertesh me bazë në Londër, , i cili angazhohet në nxitjen e zhvillimit social dhe ekonomik të 23 vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore. Qëllimi i çmimeve është të nxjerrë në pah më të mirën e rajonit të CEE në një audiencë ndërkombëtare.
Hapi tjetër është që ata të zgjedhin fituesin. Fituesi do të njoftohet në Ceremoninë e Çmimeve në selinë kryesore te EBRD në Londër më 22 qershor.
“Ne ju inkurajojmë që partnerët, bashkëpunëtorët, klientët, furnizuesit dhe miqtë tuaj të njohin nominimin tuaj – ju lutemi përdorni hashtag #EEAwards. Nëse keni ndonjë pyetje ose dëshironi ndonjë informacion të mëtejshëm, unë ose ata do të jenë të lumtur t’i përgjigjemi”, shkruan ai./ KultPlus.com