Pemët e mbjellura gjatë Revolucionit Francez po priten për të rindërtuar Katedralen e Parisit

29 Mars, 2021 - 5:00 pm

Në ish-pyllin mbretëror të Bercé, në rajonin Loire të Francës, pemë shumëvjeçare po priten si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rindërtuar Notre Dame. Ndër to u pre edhe një lis 65 metra i gjatë, 230-vjeçar, mbjellë gjatë Revolucionit Francez.

Pema, bashkë me 1000 lisa të tjerë, do të përdoren për të rindërtuar pjesën prej druri të çatisë që u dëmtua nga flakët, e cila shkatërroi ndërtesën gotike, në prill 2019. “Ne e dimë se është fundi i diçkaje, por është gjithashtu një fillim i ri dhe është jeta e dytë më e mirë që mund t’i japim kësaj peme”, tha një roje e pyllit, transmeton KultPlus.

Pemët në Bercé kanë një kurbë të lehtë që i bën ato ideale në këtë proces. Lisat e zgjedhur do të priten dhe do të thahen për 12 deri në 18 muaj për t’u siguruar që trarët nuk do të tkurren ose lëvizin. Sipas ekspertëve, pemët u mbollën në kohën e mbretit Luigji i XIV, në mënyrë që të siguroheshin dru për të ndërtuar direkët për anijet që i përkisnin marinës franceze.

Përveç tetë lisave që do të merren nga pylli në Bercé, shumë pemë janë dhuruar nga 200 pyje në të gjithë vendin. Megjithatë, një peticion drejtuar ministrit të Ekologjisë së Francës ka bërë thirrje për ndalimin e prerjes së pemëve, por grupet e pylltarisë thonë se numri i pemëve që priten përfaqëson një përqindje shumë të vogël. / KultPlus.com

Të ngjajshme