Përderisa përcillte Festivalin e Filmit në Pulë, serbët e lanë pa punë dhe pa banesë

8 Korrik, 2021 - 11:00 am

Shaqir Foniqi, gazetar i Radio Televizionit të Prishtinës ka kujtuar një ndër momentet më të këqija të jetës së tij, okupimin e Radio Televizionit të Prishtinës nga forcat serbe, okupim që la pa punë mbi 1 mijë punëtorë, duke përfshirë edhe Shaqir Foniqin.

Ai kujton atë periudhë të tmerrshme që e kishte gjetur në Pulë të Kroacisë, duke përcjellë Festivalin e Filmit, por kronikë që kishte mbetur pa u transmetuar asnjëherë, pasi që punëtorët e këtij institucioni informativ i kishin hedhur në rrugë.

KultPlus ju sjell të plotë kujtimin e tij për këtë ngjarje.

SI ME MBETI RAPORTI NË XHEP!

Rekuiem për 31 vjetorin e okupimit serb të RTP-së)

Radiotelevizioni i Prishtinës ishte dritarja e vetme e informimit shqip në Kosovë. E themeluar, fillimisht si Radio në Prizren me 1945, ajo luajti një rol të rëndësishëm në emancipimin e shqiptarëve të Kosovës.

RTP, po rritej dita -ditës dhe në momentin e okupimit me 5 korrik 1990,kishte 1350 punëtorë dhe program tërëditor.

Në RTP isha inkuadruar me 1978,meqë isha edhe bursist.

Po si e prita okupimin e RTP-së?

Në të vërtetë, okupimi i RTP-së, mua më gjeti në Pulë të Kroacisë, ku po mbahej Festivali i Filmit Jugosllav, e ku po merrte pjesë edhe ‘Kosovafilmi’ me prodhimet e veta.

Ato ditë në Pulë ishin edhe artistët, Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, Enver Petrovci, Drita Begolli, regjisorët Isē Qosja, Emin Halili, pastaj Azem Shkreli, gazetarët Shaip Beqiri, Bajram Sefaj, Gani Mehmetaj, unë dhe ndonjë tjetër.

Me 5 korrik 1999, e kisha përgatitur raportin për Lajmet qendrore dhe po prisja orën 17-të, që ta dërgoja përmes këmbimit.

Në ndërkohë, Azem Shkreli, drejtori i ‘Kosovafilmit, Bajram Sefaj dhe unë kishim dalur në plazhin e Pulës për t’u freskuar pak. Derisa unë isha në ujë, Radio Zagrebi, aty rreth orës 15,10 min e kishte dhënë lajmin për okupimin e RTP-së, nga forcat policore serbe.

Kolegu Bajram e kishte dëgjuar lajmin dhe ma bëri me dorë, qē të dilja nga uji dhe të shkoja tek ai, për ta mësuar lajmin e hidhur.

Në fillim nuk i besova, por më vonë u binda se lajmi ishte i vërtetë.

Kësisoj, raporti me mbeti në xhep. Megjithatë, bashkë me kolegun Bajram, shkuan në konferencën e rregullt me gazetarë dhe kur të gjithë po përgatitëshin t’i dërgonin raportet, për redaksitë e tyre, ne nuk kishim për kënd të raportonim.

Kur na erdhi radha, ne iu drejtuam: kolegë gazetarë, ju mund të raportoni shlirë,(sa mirë vj),kurse ne nuk kemi për kënd të raportojmë, sepse shtëpia ku punojmë, është okupuar me forcë.(Disa kolegëve kroatë e sllovenë, iu erdhi keq.

Ishte ndjenjë e rëndë për një gazetar të mos mund të raportojë.

Në ndërkohë, derisa ne u kthyem në Prishtinë, përjashtimi ynë kishte ndodhur, kolektivisht.

Golgota me RTP nuk u zgjidh kurrë. Pas luftës, u themelua RTK, por shumë kolegë kishin mbetur në rrugë.

Ndoshta, nuk është rasti, por për mua ndodhën dy të këqija: edhe me kishin përjashtuar nga puna edhe banesën time të pa përfunduar,(të blerë me participim me RTP- në) ia kishin ndarë ‘gazetarit’ serb, i cili gjatë luftës, ishte shndërruar në paramilitar. Liria është liri.

Gazetaria është mision për liri/KultPlus.com

Të ngjajshme