17 Gusht, 2020 - 3:49 pm
Pas një pune dy mujore ka përfunduar restaurimi i një prej objekteve më të rëndësishëm të koleksionit të Muzeut të Ikonografisë “Onufri” në Berat,i ikonës “Shën Nikolla me skena nga jeta” e vitit 1591 me autor Onufër Qipriotin.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ndër të tjera thotë se “ikona e dimensioneve të mëdha është marrë nga kisha e Shën Kollit në Kalanë e Beratit dhe prej vitit 1987 ka qenë e ekspozuar për vizitorët. Tashmë ajo rikthehet me të gjithë shkëlqimin e ngjyrave dhe vlerat që mjeshtri Qiprioti realizoi në vitin 1591”.
Sipas saj, vepra paraqiste shumë problematika, si: degradim të vernikut, plasaritje, abrasion të pelikulës piktorike, gufime, dëmtime dhe mungesë grundi, si dhe depozitime papastërtish të qëndrueshme si: dyll, parafinë, kullime verniku, bojë smalti, bloz, etj.
“Pas ndërhyrjes restauruese u arrit rezultati i dëshiruar, duke nxjerrë në dukje ngjyrat e ikonës, freskinë dhe madhështinë e veprës. Kjo ikonë sigurisht që pasuron koleksionin e Muzeut Onufri me madhështinë e ngjyrave të dorës së Onufër Qipriotit”, shprehet Margariti.
Muzeu Kombëtar Onufri është përshtatur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin “Onufri”, për nder të njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Katedralja është e rindërtuar në vitin 1797 dhe është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas-bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh, pjesë e fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 objekte janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike.
Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë shqiptarë, që u përkasin shekujve XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe Çetirët (Gjergji, Johani, Naumi, Nikolla dhe Gjergji i riu), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrat Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit në shekullin e XIX./ atsh/ KultPlus.com