19 Tetor, 2020 - 8:36 pm
Pas një muaji pune të kujdesshme, që kërkonte shumë durim e pasion, përfundoi restaurimi i Mozaikut të Tiranës, këtij simboli të trashëgimisë kulturore të kryeqytetit.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se “bashkë restaurimin e Mozaikut përfundoi edhe Atelieja e Restaurimit, e cila mblodhi së bashku specialistë nga të gjitha Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Leksione të hapura, shkëmbim eksperiencash dhe pjesëmarrje në një ndërhyrje aq delikate, që u përmbyllën me shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit”.
“Urime të gjithëve! Një falenderim i veçantë i shkon mjeshtrit Agron Islami, për punën e përkushtuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Të konceptuara së bashku, ky aktivitet një mujor i ka shtuar jetën mozaikut, duke i hapur udhën një tjetër projekti për t’ia kthyer hapësirën përreth publikut, por edhe ka shpërndarë dije. Një proces që ne duam ta çojmë edhe më tej, me ngritjen e Qendrës së Formimit të Vazhdueshëm. E ardhmja është në origjinë”, – thekson Margariti.
Mozaiku i Tiranës, monumenti më i vjetër, monument kulture i kategorisë I, është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit. Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materiali dhe teknika e përdorur i përket artit paleokristian./ atsh/ KultPlus.com