27 Shtator, 2018 - 10:41 pm
Orgesi ka 18 vjet që jeton në New York, por largimi nga Shqipëria nuk e ka shkëputur nga vendlindja e tij. Përkundrazi, prej 3 vitesh ai ka studiuar imtësisht figurën e Skënderbeut. Ka shkuar posaçërisht për të në muzeun e Vjenës.
“Thjesht në mënyrë natyrale ndjek instinktin, dhe dashurinë time për të përhapur sa më shumë historinë e Shqipërisë, në mënyrën që unë kam mundësi ta bëj”, tha Orges Kokoshari.
Studimi i vleu për të prodhuar përkrenaren e Skënderbeut. 1000 të tilla, për të provuar fillimisht interesin e shqiptarëve dhe të huajve. Orgesi na tregon se ka qenë bashkëshortja e tij shtysa për ta përfunduar këtë projekt në kohë për Vitin e Skënderbeut.
“Sarah është kanadeze, por shumë e apasionuar pas historisë së Shqipërisë, duke më parë dhe mua për punën që po bëj. Madje kutinë e ambalazhimit e kam bërë vetë dhe ka qenë gjithmonë një mbështetje kur unë kam menduar se ndoshta mund ta lemë për më vonë”.
Puna me artet vizuale, ja ka lehtësuar procesin e dizenjimit të helmetave, 42 vjeçarit.
“Të gjitha detajet janë të bashkuara siç është helmeta origjinale. Mbishkrimet që ka helmeta sipër janë në latinisht, këtu të përkthyera. Helmeta e Skënderbeut kushton 299 dollarë, dhe është prodhuar në plastikë që të ishte sa më e lehtë”, u shpreh Kokoshari.
“Këtu kemi dhe simbolin e dhisë, një element shumë kryesor që nga antikiteti që ka pasuar historinë tonë. Kemi po të njëjtin simbol, që përsëritet që nga koha Ilire me Aleksandrin e Madh, Pirron dhe po Skënderbeun./KultPlus.com