5 Maj, 2019 - 2:28 pm
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta kanë zhvilluan të dielën homazhe në varrezat ‘Dëshmorët e Kombit’, gjatë ceremonisë së përkujtimit me rastin e ditës së Dëshmorëve 5 Majit.
Në ceremoninë morën pjesë dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, si dhe personalitete të tjera, për të përkujtuar 5 Majin dhe nderuar dëshmorët e atdheut.
Meta kërkoi reflektim përmes dialogut politik, si e vetmja rrugë që të çon drejt së ardhmes
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë popullin shqiptar. Është dita e Qemal Stafës dhe të rinjve dhe të rejave që bënë sakrificat më sublime për ta vendosur Shqipërinë në anën e duhur, aty ku është edhe sot”, – tha Meta.
“Sot është një ditë reflektimi për të vendosur në plan të parë të ardhmen e vendit përmes dialogut në mënyrë që të nderojmë si duhet kujtimin e atyre që kanë bërë sakrificat e atyre që kanë dhënë jetën për lirinë”, – theksoi Presidenti.
Kryebashkiaku Veliaj shpreh mirënjohje për dëshmorët, duke i konsideruar ata heronj të vërtetë të veprave të mëdha.
“5 Maji – Dita e Dëshmorëve. Lavdi heronjve të vërtetë, njerëzve të veprave të mëdha, të cilët kanë mbetur të “pavdekshëm” në kujtesën dhe historinë e vendit tonë. Mirënjohje e përjetshme!”, shprehet Veliaj./ atsh/ KultPlus.com