18 Tetor, 2021 - 6:07 pm
Si sot më 18 tetor 1948, ndërroi jetë studiuesja skoceze Margaret Hasluck, e lindur nën emrin Margaret Masson Hardie Hasluck.
Pas diplomimit në universitetin “Aberdeen”, Hasluck vazhdoi studimet pasuniversitare të thelluara në “Cambridge University” dhe shkollën Britanike të Athinës.
Hasluck është etnologia dhe etnografja e një pjese të madhe të kulturës ballkanike me studime të shumta në vende si Greqia, Turqia dhe stacionimi i fundit në Shqipëri. Në vendin tone ajo është pritur përzemërsisht si nga figura të rëndësishme të kohës, por edhe nga vetë shteti shqiptar.
Pushtimi i Shqipërisë dhe largimi i britanikeve nga terreni shqiptar do të sillte largimin e Haslluk drejt Athinës. E lidhur shpirtërisht me Shqipërinë, Hasluck i ndjek me vëmendje lëvizjet politike të pas vitit 1944 ku edhe ka korrespondenca me drejtuesit e kohës, por letrat dhe këshillat e saj nuk u vlerësuan aspak.
Më 1947 kur e pa qartë se gjendja e saj shëndetësore nuk përmirësohej më nga Qipro u kthye në Dublin, ku me kurajo të madhe dhe këmbëngulje, u përpoq të përfundojë librin e saj, që synonte ta kishte historinë e parë të Shqipërisë në gjuhën angleze. E rraskapitur më në fund iu dorëzua leucemisë më 18 tetor 1948, në një kohë kur i kishte mbaruar katër nga njëzet kapitujt, si edhe skicën e detajuar të librit të saj që u botua pas vdekjes në vitin 1954, me titullin “Ligji i Pashkruar në Shqipëri”.
Shtëpia që ajo ndërtoi në Elbasan, është tashmë një jetimore. Më 18 qershor 2010, për 125-vjetorin e lindjes së saj, Margaret u nderua me titullin “Qytetare Nderi e Elbasanit” dhe një pllakë përkujtimore është vendosur në shtëpinë e saj të dikurshme.
Me objektivin e aparatit të saj fotografik Hasluck fiksoi qytetet dhe njerëzit nga veriu në jug të vendit, duke realizuar një mozaik të plotë të viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar.
Mes dokumenteve që ruan në arkiv të Margaret Hasluck, AQSH publikoi sot një vizatim të saj, ku pasqyron përshkimin e saj në vendin tonë gjithashtu dhe një peizazh të skicuar me laps./atsh/ KultPlus.com