16 Tetor, 2017 - 1:26 pm
Robert Elsie albanologu i njohur që u nda nga jeta pak javë më parë do të prehet në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka përmbushur amanetin e studiuesit për tu prehur në tokën që e deshi aq shumë.
Nesër më 17 tetor trupi i tij do të qëndrojë në mjediset e Bibliotekës Kombëtare për homazhet dhe nderimet e fundit, nga ora 14:00 deri më 16:00. Më pas ceremonia e përcjelljes për në Shkodër do të zhvillohet në Bibliotekën Kombëtare në ora 16:00. Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950.
Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978.
Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të ‘takimeve shkencore’ midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. Këto udhëtime në fund të viteve 70-të dhe në fillim të viteve 80-të i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë.
Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur. Elsie është autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.