13 Qershor, 2018 - 9:03 am
Pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët në ish-Jugosllavi kishin mundësi të dëgjonin radiotransmetimet e huaja.
Midis këtyre radio-stacioneve ishte edhe “Radio Vatikani”. Për shqiptarët e besimit katolik ky emision kishte rëndësi. Radio-Vatikani, ashtu si edhe shumica e radio-emisioneve të tjera, transmetohej në mbrëmje. Dëgjueshmëria ishte shumë e mirë. Një pjesë e madhe e transmetimeve, sidomos lutjet fetare, në atë kohë ishin latinisht. Besimtarët e dëgjonin me kënaqësi.
Radio Vatikani në gjuhën shqipe transmetonte edhe tema nga historia dhe kultura e popullit shqiptar. Temat më të dëgjueshme ishin ato të tragjedisë së klerikëve katolikë shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore. Ata bënin komente për At Shtjefën Gjeçovin, At Gjergj Fishtën, për At Anton Harapin dhe shumë e shumë klerikë të tjerë shqiptarë, që ishin dënuar nga diktatura në Shqipëri dhe në Jugosllavi.
Unë, rikujton ish gazetari i “Zërit të Amerikës” dhe tani botues në New York, Gjek Gjonlekaj, isha dëgjues, por jo i rregullt i këtij emisioni. Nga Radio Vatikani kisha fituar idenë për shumë punë në ‘Zërin e Amerikës’, i cili transmetonte tema fetare, sidomos për festat e Pashkëve, të Kërshëndellave dhe Bajramit. “Zëri i Amerikës” po e vazhdon sot e kësaj dite këtë traditë.
Në fillim të viteve 80 e fillova punën pranë këtij emisioni në gjuhën shqipe në kryeqytetin amerikan. Në atë kohë lajmet dhe reportazhet fetare nga Shqipëria dhe viset shqiptare në ish-Jugosllavi ishin të pamundura. Ne transmetonim reportazhe nga ceremonitë fetare në Shtetet e Bashkuara. Bile për Kërshëndella e për Pashkë transmetonim urimet e Papës Gjon Palit të Dytë në gjuhën shqipe. Ato urime ishin në shumë gjuhë të huaja dhe shumë herë kishim vështirësi për t’i gjetur.
Njëri prej kryeredaktorëve, që ishte ateist, nuk çante kokën për urimet e Papës, bile përpjekjet për t’i gjetur ato bekime në gjuhën shqipe i quante punë të kota. Ky ua ndërlikonte punën atyre që kishin vullnet për urimet e Papës në gjuhën shqipe. Unë personalisht isha ballafaquar disa herë me këtë funksionar të rëndësishëm, që kishte lindur dhe ishte edukuar në familje katolike shqiptare në Shqipëri, para Luftës së Dytë Botërore.
Edhe sot e mbaj mend një rast kur solla nga zyra qendrore e lajmeve anglisht se Nëna Tereze ishte takuar në Pekin me udhëheqësin më të lartë kinez, Ten Hsiao Pin. U gëzova shumë për këtë lajm dhe ia dorëzova për transmetim në gjuhën shqipe. Kryeredaktori ateist u zemërua për këtë lajm, e grisi dhe e hodhi në shportë. Për këtë veprim të mbrapshtë e njoftova drejtorin e këtij emisioni. Ai m’u lut për qetësi për të mos u ballafaquar me kryeredaktorin tonë ateist. Ky njeri kishte qenë pengesë për transmetimin e shumë reportazheve antikomuniste, pavarësisht se ishte larguar nga Shqipëria në mbarim të Luftës së Dytë me grupin e Ballit Kombëtar.
Të gjithë e nderonim, sepse ishte shumë i sjellshëm dhe i ndershëm. Pastaj ishte profesionist në punën e tij. Të vetmin problem kishim me fiks idetë e tij. Për ato fiks ide ai ishte ballafaquar disa herë me mikun e tij më të mirë. Nuk i pëlqente komentet negative për Enver Hoxhën dhe Partinë e Punës. Në një lajm ose koment të shkurtër ai e quante Enver Hoxhën, Zoti Hoxha, përkthyer nga anglishtja Mister Hoxha.
Një herë e kisha kundërshtuar për këtë nderim, që nuk e meritonte diktatori shqiptar. E kisha pyetur nëse mund ta lexojë zotëri Hoxha, pasi që për shqiptarët veriorë zoti është zotëri. Ai nguli këmbë për versionin e tij. E lexova, por me shumë mllef, aq më tepër kur isha i kërcënuar prej tij. Në atë kohë nuk mund ta imagjinoja se ai mund të kishte qenë bashkëpunëtor i regjimit komunist të Shqipërisë. Ai ishte larguar nga Shqipëria si antikomunist. Në atë kohë ‘Zëri i Amerikës’ transmetonte krejt pak tema në lidhje me aktivitetet fetare të shqiptarëve të Amerikës.
Përpjekjet tona kundër regjimit komunist në Shqipëri dhe për lirinë e Kosovës shumë herë hasnin në pengesa nga shqiptarët që kishin punuar pranë ‘Zërit të Amerikës’. Disa nga nëpunësit e ‘Zërit…” në gjuhën shqipe nuk kishin fare ndjenja kombëtare. Ata ‘Zërin e Amerikës’ e kishin si një punë të rëndomtë për të fituar bukën.
Zëri i Amerikës bëri ndryshime kolosale nën drejtimin e Dr. Elez Biberaj. Ky specialist i çështjes shqiptare, si vizionar që ishte, e vuri në veprim gjithë fuqinë e tij intelektuale dhe morale për lirinë e popullit shqiptar nga diktaturat. Në kohën e Elez Biberaj temat fetare e kombëtare ishin të përditshme. Ai kishte themeluar “Rubrikën Shqiptarët e Amerikës”, e cila ishte ndjekur me shumë interesim nga dëgjuesit kudo në Ballkan dhe në Evropë.
Unë shfrytëzova lirinë e profesionit, duke transmetuar intervista dhe kronika për aktivitetet fetare të shqiptarëve të Amerikës. Për çdo festë isha në qendrat fetare të krishtera dhe muhamedane. Isha kurioz për çdo aktivitet. E kujtoj me shumë respekt ceremoninë e 40-vjetorit të persekutimeve fetare në Shqipëri, më 11 prill të vitit 1985, në San Francisko të Kalifornisë, të cilën e kishte organizuar Gjon Sinishtaj në bashkëpunim me njërin prej universiteteve katolike të atij qyteti.
Në këtë ceremoni përkujtimore kishin marrë pjesë shumë shqiptarë nga vendet e ndryshme të Amerikës. Ishin të pranishëm klerikë muhamedanë e të krishterë. Meshën për shpirtin e martirëve dhe të persekutuarve të Kishës Katolike të Shqipërisë e kishte thënë Patër Gardini, meshtar italian, i cili kishte qëndruar një dekadë të tërë në burgjet komuniste të Shqipërisë.
Të pranishmit u përmalluan kur e panë në altar këtë meshtar të vuajtur. 11 prillin e vitit 1985 nuk e harroj kurrë, sepse atë ditë në Tiranë u bënë ceremonitë mortore për diktatorin stalinist shqiptar, Enver Hoxhën. Predikimi i Patër Gardinit ishte një mrekulli, sepse nuk pritej që një meshtar aq i vuajtur do të lutej gjatë asaj meshe për familjen e tij. Patër Gardini tha: “Lutemi edhe për atë që i shkaktoi gjithë ato vuajtje, lutemi për familjen e tij dhe për popullin shqiptar”.
Për vite të tëra ‘Zëri i Amerikës’ kishte transmetuar meshat e Kërshëndellave dhe Pashkëve të besimtarëve katolikë e ortodoksë, transmetonte gjithashtu edhe lutjet për festat e Bajramit. Kjo ishte pjesë e punës sime, ngase isha korrespondent i Zërit në New York.
Kështu kisha vepruar edhe për kremtimet e “Zojës së Këshillit të Mirë”. “Zëri i Amerikës” e bënte këtë punë për të nderuar Kishën Katolike dhe komunitetin shqiptar, rojet shqiptare te dera nuk e lejonin hyrjen time pa pagesë. Ata mendonin që kisha shkuar atje për të ngrënë dhe për të pirë. Shumicën e rasteve kisha paguar hyrjen. Sjelljet e tyre ishin absurde.’ Zëri i Amerikës’ kishte qenë shumë aktiv për simpoziumin e 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, që e kishte organizuar dhe financuar Kisha Katolike Shqiptare e New Yorkut.
Bile Elez Biberaj kishte ardhur nga Washingtoni për këtë ngjarje të madhe kulturore. Unë kisha fituar besimin e tij për reportazhe fetare dhe kulturore. Pavarësisht se nuk kisha udhëtuar me pelegrinët e New Yorkut në Vatikan dhe në Gjenocano, në vitin 1986, kisha vendosur lidhje telefonike me Albert Akshinë e Radio-Romës. Ai më njoftonte çdo ditë për aktivitet e tyre. Pelegrinët e New Yorkut ishin takuar me Papën Gjon Palin e Dytë, bile për takimin e tyre me Atin e Shenjtë kishte shkruar gjerësisht gazeta e Vatikanit “Osservatore Romano”.
Albert Akshia ma kishte dërguar me faks atë shkrim që kishte qenë shumë premtues për shqiptarët. Ato ditë iu luta një intelektuali shqiptar që ta përkthente shqip ose anglisht për ta botuar në gazetën “Dielli”. Ky njeri, i cili sot e kësaj dite hiqet si antikomunisti më i madh shqiptar i Amerikës, refuzoi kërkesën time, bile me një përbuzje se gjoja ai nuk merrej me punë të tilla.
Unë si gazetar i ‘Zërit të Amerikës’ kisha njoftuar gjerësisht për vdekjen tragjike të Dom Lazër Shëldisë dhe për vdekjen e Monsinjor Zef Oroshit. Pas meshave që kishte thënë për vdekjen e dy klerikëve shqiptarë kardinali i New Yorkut John O’Conner më kishte dhënë një intervistë tepër të rëndësishme. Në meshën që kishte thënë për Zef Oroshin, John O’Conner ishte treguar shumë ekumenik duke thënë: “Dear Imam Isa- I dashur Imam Isa Hoxha, të shpreh ngushëllimet e mia për vdekjen e vëllait tënd shqiptar, Mons. Zef Oroshi….”
Gjatë intervistës tha: “Në Konferencën Katolike Ipeshkëvnore” të Amerikës, e cila do të mbahet muajin e ardhshëm, do të lutem dhe do të flas për lirinë fetare të popullit shqiptar. Do ta shfrytëzoj këtë rast, sepse unë jam kryetar i kësaj Konference. Pastaj dërgoi një mesazh për motrën e Zef Oroshit në kampin e përqendrimit në Shqipëri dhe shtoi: Thuaj Lukës se po vjen dita kur do të jesh e lirë për t’iu lutur Zotit lirisht në Shqipëri”.
Ishte ‘Zëri i Amerikës’ që kishte intervistuar Nënën Tereze dhe dëshirën e saj për të vizituar Shqipërinë. ‘Zëri i Amerikës’ kishte njoftuar për lirinë fetare në Shqipëri. Atë ditë që Manush Myftiu e deklaroi lirinë e plotë fetare në Shqipëri, pelegrinët shqiptarë të New Yorkut kishin shkuar për të vizituar varrin e Krishtit. Në rolin e korrespondentit kisha shkuar në Kennedy Airport për t’i përcjellë. Pas kishin vizituar varrin e Krishtit, unë i kisha thirrur në telefonin në hotelin “King David” për t’i njoftuar për këtë mrekulli.
Këtë lajm ia kisha komunikuar Dom Rrok Mirditës. Atë dita e kisha thirrur në telefon në Romë për intervistë Patër Daniel Gjeçaj, por ai nuk e besonte një lajm të tillë. Ai tha:”Këto janë rrena komuniste. Nuk dua të bëj asnjë koment për rrenat e tyne”. Pas pak e thirra Patër Ambroz Martinin në Bruksel. Ai u tregua shumë optimist dhe bëri komente të shkëlqyeshme. Mes tjerash Ambroz Martini tha:”Ky lajm po më gëzon e ty të gëzoftë Zoti”.
Pas rënies së diktaturës kisha biseduar me Patër Gjergj Marstjepaj, meshtarin e Tuzit për vizitën e tij në Shkodër, ku kishte vizituar Mikel Koliqin, Simon Jubanin, Zef Simonin dhe Frano Ilinë. I kishte gjetur në mjerimin më të madh, bile gjatë vizitave të pastajme u kishte dërguar rroba për veshmbathje dhe për shtretër. Në atë kohë kisha intervistuar Dom. Simon Filipaj dhe Dom Nikë Ukgjinin. E kujtoj me shumë respekt intervistën në New York me kardinalin kroat Franjo Kuhariqin, në vitin 1988. Tema kryesore e asaj interviste kishte qenë shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Pas shpalljes së lirisë fetare në Shqipëri, diplomatët shqiptarë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara kishin shfaqur dëshirën për të marrë pjesë në njërën prej meshave në Kishën Katolike Shqiptare. Kërkesën dhe dëshirën e tyre ia kisha paraqitur Dom Rrok Mirditës. Ai e pranoi me kënaqësi kërkesën e tyre. Unë i shoqërova, bile ata ishin ulur në rëndin e parë, por populli nuk ishte në dijeni kush ishin ata.
Ai tha: “Sot në kishën tonë ndodhi një mrekulli, ngase këtu kemi të pranishëm për herë të parë, pas 45 vjetësh, diplomatët shqiptarë në Kombet e Bashkuara. Kjo është një ditë e lumtur për ne dhe për gjithë popullin shqiptar”. Të pranishmit në meshë u ngritën në këmbë në atë moment dhe shpërthyen duartrokitjet si asnjëherë në historinë e kësaj kishe. Shqiptarët, sidomos ata që ishin nga Shqipëria, filluan të qajnë si fëmijë prej gëzimit.
Pasi mbaroi mesha ata u përqafuan me popullin një nga një. Kështu filluan lidhjet e tyre me shqiptarët e New Yorkut dhe të Amerikës. Kështu kishim vepruar edhe për vizitën e parë të Imam Sabri Koçit në Amerikë. Veprime të tilla kisha bërë edhe për Kishën Shqiptare Ortodokse të Amerikës. Këto ishin disa nga përpjekjet e mia për lirinë fetare në Shqipëri në kohën e diktaturës komuniste./ KultPlus.com