16 Janar, 2022 - 4:30 pm
Shoqata “Trojet e Arbrit “më 10 qershor 2022 në Prizren organizon sesionin e V-të, të veçantë shkencor me temën:”Personaliteti shumëplanesh i Mustafa Merlika- Krujes dhe ndihmesa e tij themelore në jetën kulturore e politike të Kombit shqiptar , me rastin e 135-vjetorit të lindjes (1887 – 2022).”
Ftohen studiuesit shqiptarë të cilët kanë materiale arkivore,letërkëmbime, dhe materiale tjera, dhe qe janë njohës të kontributit kombëtar,politik,shkencor,dhe kulturor te atdhetarit Mustafa Merlika-Kruja që te paraqitën me temat e tyre deri më 30 prill 2022.Për t´iu orientuar se në cilën veprimtari mundeni të merrni temën tuaj po e japim një profil të shkurtër të nënshkruesit të Pavarësisë së Shqiperisë që në moshën 25 vjeçare atdhetarit,politikanit dhe studiuesit Mustafa Merlika –Kruja.
Mustafa Merlika – Kruja lindi në Krujë më 15 mars 1887, nga një familje me origjinë nga malësitë e Kurbinit. Mësimet e para i mori në Mejtepin e qytetit të lindjes, për të vazhduar më tej në Idadijen e Janinës e për të mbaruar shkollën e mesme në gjimnazin ” Numune-I Terakki ” në Stamboll. Nëpërmjet konkursit të përvitshëm u pranua në Shkollën Civile Mbretërore ” Mylkije-i Sahane” ( I njëmbëdhjeti në 70 pjesëmarrës për dyzet vende). U diplomua në Shkenca politike dhe administrative në moshën 23 vjeçare në vitin 1910. Gjatë studimeve u shqua për veprimtari atdhetare dhe demokratike, nëpërmjet shkrimeve të ndryshme në gazetat e Stambollit me pseudonimin Asim Xhenan.
Më 1910 u kthye në Shqipëri e i u fut profesionit të mësuesit por edhe veprimtarisë politike. Para Shpalljes së Pavarësisë, së bashku me Abdi Toptanin dhe Kapidanin e Mirditës shkoi në Shkup për të bashkërenduar veprimet me kryengritësit kosovarë të Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Nexhip Dragës, Isa Boletinit,Zef Kol Ndoka (Zefit i Vogël), dhe Pjetër Qeli, në cilësinë e sekretarit të kryengritjes shqiptare për Shqipërinë e Mesme e të Veriut.
Më, 28 nëntor 1912 ishte në Vlorë, si përfaqësues i zgjedhur i parisë së Krujës, ku firmosi Dokumentin e Pavarësisë dhe u emërua si zv. Prefekt e më vonë si sekretar i Këshillit të ministrave në moshën 25 vjeçare. Nga Vlora u emërua drejtor i Arsimit për qarkun e Elbasanit e, më pas, si këshilltar për Arsimin në qeverinë e Turhan Pashës. Luftoi rebelimin e Haxhi Qamilit e përkrahu ardhjen e Princ Viedit në Shqipëri. U burgos nga Esat pashë Toptani, atij që kish ngulur këmbë të shkruhej në Mylkije, mbas ikjes së Princ Viedit, i cili e dënoi me burgim, duke e çuar në Sicili nëpërmjet italianëve. Mbas dy vitesh u lirua nga burgu dhe u emërua kryeredaktor i gazetës” Kuvendi”, që botohej në Romë nga miku i tij, Sotir Gjika. U kthye në Shqipëri në dhjetor 1918 e mori pjesë në Kongresin e Durrësit, ku u emërua ministër i Postë-Telegrafave dhe sekretar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku u shqua për hartimin e të gjithë dokumentacionit të Dërgatës në gjashtë muajt e parë të veprimtarisë.
Deputet i Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare të Shqipërisë së pavarur më 1921, u bashkua me grupin e deputetëve shkodranë në parlament. Mori pjesë në Lëvizjen e marsit 1922, së bashku me Zija Dibrën, Elez Isufin, Bajram Currin ku u detyrua te mërgoj pas deshtimit të kësaj kryengritje.U kthye në Shqipëri në qershor të vitit 1924, për t’u larguar përsëri prej saj në Krishtlindjet e atij viti, mbasi kishte kryer detyrën e prefektit të Shkodrës, gjatë qeverisjes së Fan Nolit.
Në 15 vitet e mërgimit në Zara, në Gjenovë e në Gjenevë, veç veprimtarisë politike e publiçistike, punoi në hartimin e Fjalorit të madh të Gjuhës shqipe. U rikthye në Shqipëri më 1939, “i vendosun mos me marrë pjesë n’asnji qeveri pushtimi “. U emërua njëri ndër katër Senatorët e Mbretërisë dhe Kryetar i Institutit të Studimeve shqiptare. Në nëntor 1942 Mustafa Kruja u thirr nga Françesco Jacomoni, zëvendës i Mbretit në Shqipëri, për një bisedë tepër serioze, në të cilën ky i fundit i kumtoi krijimin e PKSH, të drejtuar nga emisarët jugosllavë dhe propozimin për të marrë në dorë qeverinë. Lajmi qe tronditës sepse, simbas mendimit të tij, përbënte një rrezik për t’ardhmen e Shqipërisë. U mendua disa ditë për propozimin e së fundi vendosi: “Nuk nguroj më: të dali ku të dali, vendos të marr mbi vete përgjegjësitë e mija”. Këto janë fjalët tekstuale, me të cilat i shpjegon Autoriteteve të Imigrimit të SHBA, në kërkesën për strehim politik më 1952. Më poshtë vijon: “Po, kam pranuar me plot ndërgjegje këtë gjëndje. Kam besuar si një detyrë të shenjtë atdhetare t’i shmangia Vendit tim katastrofën më të madhe që mund të pësonte. Sikur t’ia kisha arritur qëllimit, epitetet e të sharat që më kanë përfolur me shumicë për të më njollosur, do të më kishin nderuar. Por dështova sepse qeshë viktimë e pabesisë fashiste. Nëse italianët do të më kishin dhënë ato që më premtuan dhe bashkatdhetarët e mij nacionalistë do të më kishin kuptuar, Aleatët perëndimorë do të kishin gjetur pa dyshim në nëntor 1944, në buzë të Adriatikut, një Shqipëri besnike ndaj tyre e mirënjohëse për lirinë e pavarësinë e tyre… “
Me disa kushte të kërkuara qeverisë italiane e të premtuara prej saj, Mustafa Kruja pranoi marrjen e qeverisë shqiptare nën kryesinë e tij. Por bashkëpunimi me qeverinë italiane dhe autoritetet e pushtimit nuk zgjati shumë. I nisur si një “lëshim i mëtejshëm ndaj nacionalizmit shqiptar”, simbas ministrit të jashtëm t’Italisë, ai erdhi duke u dobësuar e duke nxjerrë në shesh kundërshtitë. Kryeministri kishte kërkuar fonde për të krijuar e mbajtur në këmbë një trupë të milicisë shqiptare, por italianët nuk i a sendërtuan kurrë atë mundësi. Kryeministri kërkonte të çrrënjoste komunizmin në embrion, por italianët, për një zgjedhje strategjike të Boshtit, këtë e bënin për formë. Kryeministri, në rrethin e tij të ngushtë, kishte marrë një vendim tepër të fshehtë: të organizonte një forcë t’armatosur, e cila në çastin e duhur dhe në marrëveshje me forcat e vërteta kombëtariste, do t’i jepte goditjen ushtrive të pushtimit, duke shmangur nga ky veprim lëvizjen komuniste të drejtuar nga jugosllavët, duke rrezikuar kështu, siç ndodhi me të vërtetë, rikthimin e “tokave të lirueme” përsëri në administrimin sërb. Për të filluar sendërtimin e këtij plani strategjik ai mendoi t’a niste nga Vlora, krahina më e fuqishme e asaj lëvizjeje. Në këtë kontekst u emërua Qazim Koculi, miku i tij i vjetër dhe heroi i Vlorës 1920, si Komisar i Lartë i qeverisë, por italianët e nuhatën dhe e vranë atë nëpërmjet dorës së shqiptarëve. Atë çast, një nga më të hidhurit e jetës së tij, Mustafa Kruja e kuptoi se ishte goditur mbas shpine e se projekti i tij kishte dështuar. I kërkoi Jacomonit hetimin e shpejtë e të gjithanshëm të krimit e dënimin e dorësve e të shtytësve, por mori një refuzim të prerë. Vendosi të japë dorëheqjen e pakthyeshme e i kërkoi zyrtarisht Romës zëvendësimin e tij. Me këtë akt të datës 13 janar 1943 u mbyll kariera politike e Mustafa Krujës. Trembëdhjetë muajt e atij qeverimi qenë një pjesë e funksionimit të Shqipërisë etnike dhe institucioneve të saj, e heqjes së simboleve fashiste nga flamuri kombëtar, i hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e në tokat e tjera të bashkuara “shtetit amë”, e shpëtimit të hebrenjve etj, etj.
Mustafa Kruja u largua nga Shqipëria në shtatorin e vitit 1944, si pasojë e një fatkeqësie familjare, mbasi djali i tij i vogël, Besimi, ishte shtruar me urgjencë në spitalin e Vjenës ku studjonte, e mjekët kërkonin praninë e tij, për të dhënë miratimin e tij për një ndërhyrje kirurgjikale të birit. Ai udhëtim qe fatal për jetën e të birit, por shpëtimtar për fatin e tij. Mbaslufta qe mjaft e vështirë për të në Itali, deri në vitin 1948, kur ai shkoi në Aleksandri të Egjyptit, i ftuar nga ish Mbreti Zogu I, të cilit i kishte njohur meritat që më 1943, dhe e quante si të vetmin personalitet shqiptar që mund t’a shpëtonte Shqipërinë nga katrahura, në të cilën ishte zhytur më 29 nëntor 1944.
Periudha 1948 – 1955 në Egjypt qe një periudhë studimesh e shkrimesh, të cilat i u lanë në trashëgimi motrës së tij Haxhire, e cila i ruajti me kujdesin më të madh deri në vitin 1992, kur u takua me familjen e ardhur nga Shqipëria dhe i a dorëzoi asaj. Nga ajo punë studimore, në vitet 2001 – 2017 janë botuar 18 vëllime të karakterit historik, gjuhësor, letërkëmbimesh, nga shtëpi të ndryshme botuese si Sejko, Volaj, Camaj-Pipaj, 55, Botime Françeskane, Çabej, Omsca1, Klubi i Pezisë, Berk, në shumicën dërmuese me shpenzimet e vete familjes, pjesërisht me dëmshpërblimet e pakta që janë marrë nga pagesat e viteve të gjata të burgjeve të familjarëve të Tij. Mëkat që në këtë numër veprash mungon kryevepra gjuhësore e Mustafa Krujës, “Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe”, i përfunduar dhe i lënë për botim në Institutin e Studimeve Shqiptare, në verën e 1944, siç del nga zbulimi kohët e fundit i letërkëmbimit mes Autorit dhe Institutit në fjalë. Mes shumë krimeve të regjimit komunist do të rradhitej edhe ai kulturor, i vërtetuar katërcipërsisht me zhdukjen e një seri veprash të autorëve shqiptarë, të marra nga ai Institut që më vonë do të bëhej Akademia e Shkencave dhe Arteve te RPSSH. Me zhdukjen e atij fjalori i është sjellë një dëm i pandreqshëm jo aq emrit të Mustafa Krujës se sa pasurisë gjuhësore të shkencës shqiptare.
Në vitin 1955 Mustafa Kruja shkoi në Francë, duke mbajtur gjithmonë në zemër mirënjohjen e thellë për ish kundërshtarin e tij politik, Mbretin Zogu I por atëherë mik i vërtetë, i gjindur ndër ditë tepër të vështira. Një vit më vonë ai u shpërngul për në SHBA, qeveria e të cilëve i kishte akorduar strehimin politik, e ku mundi të bashkohet edhe me djalin e tij, Bashkimin, që punonte atje si një ingjinjer kimist. Atje, në Vëndin e lirisë, ku kishin gjetur strehë aq shqiptarë të ikur nga regjimi komunist Mustafa Kruja kaloi dy vitet e fundit të jetës së tij, duke patur gjithënjë si një thikë në zemër dhimbjen për familjen që kishte kaluar dhjetëvjeçarë burgjesh e kampesh internimi. Atje, në Niagara Falls, n’afërsi të Ujvarës së famshme jeta e Tij u ndërpre papritmas, si pasojë e një ndërhyrjeje në tëmthin, në moshën 71 vjeçare, më 28 dhjetor 1958. E përcolli në udhëtimin e fundit, ndërmjet të tjerëve, një bashkëqytetar e mik i viteve të rinisë, i nderuari Abaz Kupi së bashku me të tjerë shqiptarë, mes të cilëve dhe djali i mikut të tij, Xhevat Korçës, Genc Korça. U kremua dhe hiri i tij priti gati një gjysmë shekulli kthimin në varrezat e qytetit të tij të lindjes. Ajo dëshirë e pasuar prej shpirtit të tij të Plotfuqishmit të përjetësisë u sendërtua më 2 qershor 2007, kur nën kujdesin e familjes hiri tij u preh më së fundi në tokën që e lindi.
Në këtë sesion të Shoqatës atdhetare “Trojet e Arbërit”, kujtesa historike e Mustafa Krujës ballafaqohet me mendimin bashkëkohor të përfaqësuesve të kulturës shqiptare të painfektuar nga ideologjia komuniste që, fatkeqësisht, është fort e pranishme në historiografinë zyrtare. Urojmë që ky ballafaqim të kthejë në opinionin e studiuesve shqiptarë të vërtetat historike të cilat janë masakruar që prej 80 vitesh nga historiografia zyrtare. /KultPlus.com