Personazhet realë të Dosjes H, Parry, Lord, Ugljanini dhe Megjedoviqi

16 Dhjetor, 2018 - 6:59 pm

Dy personazhet e studiuesve amerikanë që i ka skalitur Ismail Kadare në Dosjen H të cilët mbërrijnë në veriun e Shqipërisë në gjurmë të rapsodëve popullorë të epikës historike gojore, në fakt kanë qenë dy personazhe që kanë ekzistuar vërtet dhe në jetën reale ata kanë qenë Milman Parry dhe Albert B. Lord

Derisa Parry u vra nga një plumb qorr, Lordi e vazhdoi rrugën e tij shkencore dhe takoi rapsodët lahutarë si Salih Ugljanini i cili ishte shqiptar e këndonte në boshnjakisht e shqip, ishte përfaqësues tipik i “këngëtarit normal”, por Avdo Megjedoviqi ishte krijues me individualitet të shquar dhe karakteristika të posaçme stilistike.

Dy studiuesit amerikanë Milman Parry dhe asistenti i tij Albert B. Lord arritën për herë të parë në Jugosllavinë e atëhershme në Dubrovnik. Herën e parë ata qëndruan nga qershori deri në shtator 1933 dhe herën e dytë nga qershori 1934 deri në shtator 1935. Parry zyrën e tij ku punonte e pati në Dubrovnik, por radiusin e ecejakeve të tij në përpjekje për të grumbulluar të dhëna nga këngët e incizuara në terren, e pati në Sanxhakun e Novi Pazarit, në Mal të Zi përreth kufirit me Shqipërinë, në Hercegovinë e nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë qenë edhe në Kosovë.

Mes Homerit nga antika dhe Husës nga shekulli XIX

Autori Zdeslav Dukat në librin e tij “Çështja Homerike” thotë se Parry udhëtoi me makinën e tij Ford, me gruan dhe dy fëmijët në zona të thella fshatare për të mbledhur gati 13.000 këngë të kënduara me lahutë, rreth 3.000 syresh I incizoi në fonograf, të cilin e furnizonte me rrymë nga akumulatori i Fordit. Parry i përmblodhi këto këngë në formën e shënimeve nga terreni (field notes) e të cilat i përmblodhi e titulloi “Qorr Huso: Studim i Këngës së Sllavëve të Jugut.” Këngëtari Qorr Husa, apo Qorr Huseini ka qenë nga Kollashini, një lahutar legjendar i epikës gojore nga i cili kanë mësuar shumë këngëtarë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe babai i Avdo Megjedoviqit.
Studiuesi amerikan Milman Parry (1902-1935) ka qenë një romantik i dhënë me mish e shpirt pas çështjes homerike, epikës gojore në Ballkan. Pasi ka magjistruar Parry është shpërngulur në Paris, ku u afrua me studiuesit e kohës në debatet rreth epikës gojore. Kështu nga Parisi ai erdhi në Dubrovnik.

Me Parryn ishte edhe Albert Bates Lord (1912-1991). Edhe pse Parry i kishte ideuar shënimet e tij nga terreni si përshkrim i plotë i këngëve të tubuara, ato mbetën ashtu siç i la, meqë Parry 34 vjeçar u kthye në Shtetet e Bashkuara.

Deri në vjeshtën e 1935 Parry kishte filluar të shkruante librin “Këngëtari i rrëfenjave” (The Singer of Tales) të cilën e përfytyroi si kurorëzim të punës së tij me hulumtimet krahasimtare nga terreni. Kjo vepër mbeti me vetëm 7 faqe të punuara. Gjithçka përfundoi në një skedë me emrin e Parryt në Universitetin e Harvardit, pasi në vjeshtën e vitit 1935 Parry u vra nga një plumb qorr në SHBA. Edhepse e ndërprerë puna e tij shkencore në Paris e Harvard vlerësohej si puna më ekzakte në hulumtimin e çështjes homerike.

I mbetej Albert Bates Lordit, bashkëpunëtorit dhe asistentit të Parryt që ta vazhdojë trashëgiminë e tij. Lordi u inkuadrua në rrjedhat shkencore të kohës me tekstin e tij hulumtues:”Homer and Huso II: Narrative Inconsistencies in Homer and Oral Poetry” në vitin 1938.

Këngëtari i rrëfenjave i krahasueshëm me Homerin

Lordi kthehet në Jugosllavi pas Luftës II Botërore, më saktë në vitet 1950. Ai në tekstin e tij “Homeri dhe Huso I:The Singer’s Rest in Greek and Southslavic Heroic Songs” i inkuadroi ato shtatë faqet e Parryt dhe ishte i mendimit se këngët muslimane në territorin e Malit të Zi, me gjatësinë dhe bukurinë e tyre ishin më të përshtatshme për krahasim me Homerin. Lordi kishte dëgjuar për një homer të shekullit XX nga Kollashini, Qorr Huson, i cili qe personalitet i njohur legjendar për shkak të këndimit me stil të spikatur të tij dhe të cilin shumë këngëtarë bashkëkohanikë të tij i thoshin se kanë mësuar nga Qorr Husa. Njëri nga këngëtarët më të shquar, më i miri që patën rastin e fatin ta takojnë ishte Avdo Megjedoviqi (1866-1953) tashmë ishte në moshë të shtyrë. Veç tij, Lordi takoi edhe këngëtarët Halid Bihorac (ose Bihori) Salih Ugljaninin. Avdo Megjedoviqi dhe Salih Ugljanini ishin dy këngëtarët më të mirë të Parryt dhe Lordi I mblodhi nga këta dy 2400 vargje nga epika gojore. Lordi e quante Salih Ugljaninin këngëtar të mirë, përfaqësues tipik të këngëtarit të “normal”. Ugljanini këndonte në dy gjuhët kështu që Lordi mblodhi edhe disa këngë në gjuhën shqipe.

Por, Lordi e kualifikonte Avdo Megjedoviqin si krijues me individualitet të shquar dhe karakteristika të posaçme stilistike. Lordi në vitin 1975 botoi doktoraturën e tij në libër dhe për këngën më të njohur, për nga gjatësia të Avdo Megjedoviqit “Dasma e Smailagiq Mehës”, thotë se mund të krahasohet me epet e Homerit. Incizimi i Avdos ndonjëherë shkonte deri ne 15-16 orë me ndërprerje për të pushuar sepse herë pas here Avdos iu shtjerrte zëri.

Parry dhe Lord kanë incizuar skena të malësorëve dhe në konceptin e tyre e të kohës ata i kanë quajtur herë muslimanë herë fshatarë shqiptarë. Sot ka filma të shkurtë dokumentarë, incizime për Homerin e shekullit XX Avdo Megjedoviqin në kanalet e youtube./KultPlus.com

Të ngjajshme