7 Gusht, 2017 - 11:08 am
Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka reaguar ndaj inaugurimit të “Parkut të martuarve”.
“Në “Parkun e të Martuarve”, që u përurua sot në Prishtinë, të rinjtë e PDK-së në kryeqytet përmes një aksioni simbolik kanë shpalosur “dashuritë” e vërteta të Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili për katër vjet nuk ka shërbyer për qytetarët e Prishtinës, por për interesa të ngushta dhe korruptive të krerëve të Partisë Vetëvendosje”, thuhet në kumtesë.
Kryetari i të rinjve të PDK-së në Prishtinë, Triumf Sadikaj, ka treguar edhe arsyet që i kanë shtyrë ta ndërmarrin këtë aktivitet simbolik.
“Meqë Shpend Ahmeti nuk po gjen kohë t’u përgjigjet qytetarëve për skandalet e qeverisjes së tij të korruptuar, ku administratën e ka shndërruar në çerdhe të punësimit partiak të mbi 500 militantëve, si dhe me të tillë i ka mbushur edhe shkollat dhe ndërmarrjet publike të Prishtinës;
Meqë Shpend Ahmeti, me urdhra të Kurtit dhe Molliqajt, edhe tenderët ua jep kompanive të bashkëpartiakëve dhe miqve e të afërmve të tyre. Ndërsa, sekserë për të shitur leje ndërtimore i ka dostat dhe në emër të nënës blen edhe banesa në Shëngjin;
Meqë për këto dhe shumë të tjera, ai po i injoron faktet. Dhe përveç injorimit, po shfaqet edhe i papërgjegjshëm, duke i ikur llogaridhënies qytetare…
Pra, si dembel që është për të punuar, por jo edhe për të aktruar, ai me dramaticitetin shekspirian vetëm po aktron rolin “kishe po punoj diçka”, duke u bërë lajka të rinjve edhe me kësi simbolika boshe, si ky: Parku i të martuarve apo i të dashuruarve!
Atëherë, ne, meqë kryetari e ka simbolikën politikë dhe e tërë puna e tij është vetëm simbolike, jemi këtu që t’ua tregojmë dashuritë e vërteta të Shpend Ahmetit, që ai i do me gjithë zemër dhe i ka kultivuar në Komunën e Prishtinës: Korrupsionin, tenderët, jahtet, punësimet partiake, lejet ndërtimore, bashkë me banesat, pronat dhe milionat”, ka thënë Sadikaj.
Kryetari i të rinjve të PDK-së në Prishtinë, Triumf Sadikaj, ka thënë se përveç këtyre, Ahmeti është i dashuruar marrëzisht edhe pas Shëngjinit.
Sadikaj ka thënë se këto janë dashuritë e vërteta të Shpend Ahmetit, të cilat i adhuron dhe gjithmonë është i gjunjëzuar para tyre. / KultPlus.com