4 Mars, 2018 - 5:30 pm
Muzeu Kombëtar ”Shtëpia me gjethe” është ndër më të veçantët në rrjetin ballkanik të muzeve. Kështu e ka cilësuar drejtoresha Etleva Demollari, në një prononcim dhënë ATSH-në.
Sipas saj, veçantia e muzeut qëndron në koleksionin e veçantë të objekteve të përdorura nga sigurimi i shtetit për kontrollin e popullsisë gjatë regjimit komunist, gjithashtu dhe në koleksionin e pasur me dokumente arkivore dhe filmike.
Drejtoresha Demollari u shpreh se, “po përpiqemi që ky muze të njihet dhe në rrjetin e muzeve ndërkombëtarë. Në këtë kuadër, muzeu “Shtëpia e gjetheve ”do të bëhet pjesë e ICOM-it, që është rrjeti ndërkombëtar i muzeve gjithashtu dhe në rrjetin europian të muzeve NEMO, por edhe në rrjetin ballkanik të muzeve”, tha ajo.
“Për njohjen e muzeut ndërkombëtarisht ne kemi krijuar një lidhje me shtëpinë e historisë europiane (House of Europian History), i cili është një muze i ri që është hapur në Belgjikë me nismën e Parlamentit Europian dhe që flet për historinë e gjithë Europës”, theksoi drejtoresha Demollari.
Si pikënisje e këtij bashkëpunimi, (House of Europian History) ka ftuar muzeun e gjetheve të marrë pjesë në ekspozitën ”Rini e paqetë”, e cila do të çelet në dhjetor të 2018 dhe ka si qëllim ekspozimin e jetës së rinisë të viteve ’60 dhe ’80.
“Ne si muze na u ofrua një ftesë nga kuratori i kësaj ekspozite i cili na kërkoi të ekspozonim nëse posedonim, objekte të kësaj periudhe, pasi dhe një nga nënpikat e ekspozitës që do të zhvillohet në Belgjikë është dhe kontrolli i shtetit”, u shpreh Etleva Demollari.
“Duke u nisur nga kjo pikë, pasi muzeu ”Gjethi” pasqyron pikërisht këtë gjë, ne ju bashkuan ftesës së tyre duke i dhënë informacione mbi koleksionet që ne kemi, ne kemi përzgjedhur pesë objekte të cilët do të marrin pjesë në këtë ekspozitë”, u shpreh ajo.
Drejtoresha Demollari duke shpjeguar rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë ekspozitë tha se muzeu ynë do të prezantohet me 5 objekte të cilat janë:
1) Një nga objektet e përzgjedhura është konvertitori i sinjalit televiziv nga frekuencat VHF në UHF, i cili në gjuhën popullore njihet me termin “kanoçe”. Ky në fakt është një objekt i ri i cili i është dhuruar muzeut nga Fatmir Shkreli.
2) Çimka, transmetues me valë zanore, e cila përdorej dhe me bateri e që fshihej në objektet e përditshmërisë nga punonjësit e sigurimit të shtetit dhe është prodhuar në laboratorin e ministrisë së punëve të brendshme nga inxhinierë shqiptarë në vitet ’80.
3) Objekti tjetër i përzgjedhur është një pallto e përdorur nga sigurimi shtetit, e cila brenda kishte të fshehur aparatin fotografik e ku kopsat ishin syri i aparatit dhe te xhepi ndodhej një mekanizëm i cili bënte shkrepjen e fotos.
4) Një pajisje që përdorej për të prodhuar avull me anë të të cilit hapeshin letrat dhe ka formën pikërisht të zarfit. Me anë të kësaj pajisje letrat hapeshin kontrolloheshin dhe mbylleshin përsëri dhe personat që merrnin letrat nuk e kuptonin që këto letra ishin hapur, është objekti tjetër i veçantë i përzgjedhur për ekspozitën.
5) Objekti i fundit i përzgjedhur, por jo për nga nga rëndësia, është albumi që përdorte sigurimi i shtetit për agjentët i cili tregonte vendet ku të fshihnin çimkat. Albumi përmban foto nga objektet e veçanta ku fshiheshin çimkat si, shapkat, çantat, pra në objekte të përditshme dhe të zakonshme.
Gjithashtu ky album u përzgjodh dhe sepse kërkohej rinia e viteve ’80 dhe në këtë album gjendet një kartolinë e vitit 1986, ku çimka fshihej tek mbajtësja e kartolinës.
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” u hap për publikun në 23 maj 2017. Godina e mistershme prej 45 viteve ishte e mbuluar nga gjethet dhe iu fsheh syrit të publikut. Nga aty u përgjuan, u kontrolluan dhe u spiunuan njerëz të pafajshëm nga regjimi komunist. Ky muze është i ndarë në disa sektorë, të cilët trajtojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së kryer në këtë shtëpi, që prej ndërtimit të saj në fillim të viteve ‘30-të dhe deri në vitin 1991./ KultPlus.com