31 Korrik, 2018 - 2:15 pm
Gjatë verës në Kosovë shpejt të krijohet përshtypja se të gjithë shqiptarët po martohen… Ja çfarë thonë Genti, Besarta dhe Elisa mbi përvojat e tyre nga dasmat në Kosovë.
Nëse martesa mbetet dëshmia më e përhapur e dashurisë, ky akt vazhdon të jetë një ngjarje e ngarkuar me plot detyrime dhe tradita sociale: në shumicën e rasteve dasma shndërrohet në një shkas për të performuar imazhin e çiftit dhe për të treguar sa lidhje premtuese do të jetë.
Gjatë verës në Kosovë shpejt të krijohet përshtypja se të gjithë shqiptarët po martohen. Ndërkohë që në Evropë numri i akteve martesore të regjistruara në regjistrin civil është vazhdimisht në rënie, në Kosovë duket se ky numër veç sa po rritet dhe që së shpejti do të eksplodojë. “Kur ke përshtypjen se më në fund të gjithë familjarët u martuan, meqë gjithë verën e mëparshme e ke kaluar nëpër dasma, papritur të del nipi i tezës së kushëririt, për të cilin nuk bën kurrsesi të mos shkosh, sepse ke qenë te vajza e tezës të djalit të hallës, etj.”, tregon duke qeshur Genti nga Gjilani. Genti është gjithashtu i martuar dhe do të mbushë të tridhjetat në vjeshtë.
Për secilin çift, një ditë e veçantë, unike në jetë
Edhe pse ceremonitë e dasmave duken të jenë të gjitha të njëjta, për çdo çift kjo ditë është e shenjtë, prandaj ai përpiqet të bëjë çmos për të krijuar një dasmë sa më origjinale dhe sa më të personalizuar? Kështu që edhe për Gentin, dasma e tij ishte komplet ndryshe, të paktën kështu mendon ai.
Pas 10 dasmave për një javë, shumë shpejt kupton se martesa nuk ka më funksionin e saj fillestar, por ka një funksion ekspresiv të çiftit, në një shoqëri gjithnjë me individualiste dhe në të cilën nuk bën pa shkuar. Pasioni i martesës përshkruan pasionin e nuseve për të transformuar martesën e tyre në një ngjarje unike dhe sa më të jashtëzakonshme, kështu që përgatitja e dasmës bëhet një provë e vërtetë reale për rrethin e çiftit, dhe pjesëmarrja e dasmorëve ka një rëndësi thelbësore.
Zarfat e shumtë me para dhe hatërmbetja
Ndërsa secili kërkon të bashkojë format e ndryshme të traditës së detyrueshme dhe ato moderne, përgatitja e “ditës më të bukur” të jetës së një çifti detyron gjithë rrethin të jetë pjesë e kësaj dite të shenjtëruar. Dhe, po nuk shkove në këto dasma, u mbetet “hatri”, thotë Besarta, e cila pothuajse çdo verë e kalon në një fshat afër Deçanit. Ajo tregon sa shumë harxhohet nëpër dasma, në të cilat duhet së paku “të lësh një zarf me 20-30 euro”, dhe kur shkon në afro 15 dasma për një muaj, “atëherë harxhon nga 300 deri në 400 euro nëpër zarfa”, thotë ajo tek thekson se i ka ndodhur të festojë edhe dy dasma në ditë. Përveç punës së shpenzimit, Besarta tregon sa i lodhshëm mund të jetë ky ritëm, “sepse duhet përgatitur edhe veshjen personale, ato të fëmijëve dhe të dukesh gjithnjë e hareshme dhe e gëzuar, pavarësisht se ti tashmë i ke kaluar 10 dasma”. Por, më e rënda për Besartën është fakti se duhet ndjekur të gjitha dasmat, sepse po more pjesë në njërën, atëherë nuk mund të anashkalosh të tjerat.
Një kosto e madhe por që ia vlen?
Elisës nga Peja, me vendbanim në Lucern, i pëlqen shumë ambienti festiv, në të cilin shndërrohet gjithë Kosova: “Kah të sillesh, ka muzikë, gëzime dhe hare. Për mua është kënaqësi. Gjithë vitin punojmë, e pastaj gjithë verën festojmë. Ajo që me pengon mua është detyrimi të jesh në të gjitha dasmat”. Kjo është shumë e rëndë për ne që vijmë nga diaspora. Pastaj, përveç harxhimeve për dhurata, duhet kohë për përgatitje, për të blerë fustane të ndryshëm edhe për mua dhe dasmat shumë shpejt shndërrohen në obligime me kosto shumë të lartë, përshkruan Besarta. Po këtë verë, sa dasma i ka në plan? “Dy, vetëm dy. Vitin e kaluar kam qenë në 12 dasma dhe jam kthyer e rraskapitur. Këtë vit do të jemi në Kosovë vetëm një javë, pastaj do të shkoj në Shqipëri për pushime. Kur je në deti, nuk i mbetet hatri askujt”.
Megjithatë, qoftë për Gentin, Besartën apo Elisën, pavarësisht kërkesave të shumta, angazhimeve të mëdha dhe përgatitjeve të zgjatura, investimeve dhe harxhimeve të paarsyeshme, ritualeve dhe traditave të ndryshme, dasmat shqiptare përmbajnë megjithatë një diçka të veçantë, që “deshe apo nuk deshe”, kur dëgjon vallen e Rugovës apo atë të Tropojës, të kënaqet shpirti, dhe vetëm për këtë ia vlen.
A u martuan të gjithë?
“Kur ke përshtypjen se më në fund të gjithë familjarët u martuan, meqë gjithë verën e mëparshme e ke kaluar nëpër dasma, papritur të del nipi i tezës së kushëririt, për të cilin nuk bën kurrsesi të mos shkosh, sepse ke qenë te vajza e tezës të djalit të hallës, etj”./ albninfo.ch