14 Qershor, 2018 - 2:00 pm
Shkruan: Denis Galushi
Në nëntëmbëdhjetë vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat e NATO-së, dua të ndaj diçka të rëndësishme me Ju.
Sot është një ditë e rëndësishme për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës. Ata, të cilët e kanë dashur atdheun e tyre, dhanë kontribut për liri dhe çlirim, pa marrë parasysh së cilit grup etnik i takojnë.
Sepse, lufta nuk njeh grupe etnike, por vetëm njerëz të mire dhe të këqij.
Romët kishin dy zgjidhje: me të mirët, ose të këqijtë.
Mirëpo, shumicën e rasteve ata gjeneralizohen me grupin e dyte, dhe e mira e tyre po shuhet. Për këtë arsye, po e ndaj me Ju këtë intervistë të bërë më një ish – luftëtar rom të UÇK-së.
Kur filloi lufta në Kosovë, unë isha katër vjeç, dhe u deshën plotë nëntëmbëdhjetë vite të kalojnë që sot, unë të raportojë për kontributin e komunitetit tim, romë, në Luftën Çlirimtarë të Kosovës, sepse deri me tani një gjë e tille nuk ka ndodhë!
Jo vetëm Mirsadi, po ka edhe shumë të tjerë të cilët kontribuan, por për ata nuk flitet.
Së shpejti, besoj që do të flasë edhe për pjesëtarë tjerë në ndonjë TV Dokumentar.
Mirsad Berisha, i komunitetit rom, nga Prizreni, ka zgjedhur valët e Radio Kosovës për të rrëfyer për herë të parë angazhimin e tij në Forcat Çlirimtare të Kosovës – pjesëtar i Gardës Mërgimi
‘’Kjo ka qenë njëra ndër sakrificat më të mëdha qe kemi dhënë për vendin tonë, Kosovën. Qëllimi ka qene t’i bashkohemi mikut të këtij vendi për çlirimin ndaj armikut. Nuk kemi hyrë si shqiptar, apo ndonjë komunitetit i këtij vendi, por si vendas, në emër të popullit që e do lirinë. Kemi luftuar qe t’i themi ‘’mjaftë më’’, forcave shtypëse të armikut ndaj popullit. Numri i pjesëtareve të cilët kanë kontribuar në çlirimin e vendit tonë në fshatra që unë i njoh, ka qenë afër pesëdhjetë veta. Në fshatra të Kosovës, ku ka pasur romë, ata kanë dhënë kontributin dhe kanë ndihmuar vendasit e tyre, ku disa prej tyre janë gjalle edhe sot, e disa të tjerë kanë rënë dëshmorë’’, tregon Berisha.
Edhe pse shumica e romëve në Kosovë, ka qenë në anën e çlirimtarëve të këtij vendi, për fat të keq, ata edhe sot etiketohen me emra të ndryshëm dhe nuk i njihet kontributi nga shoqëria kosovare. E kjo, sipas Mirsadit, ka disa arsye.
M. Berisha: Kjo po ndodhë për disa shkaqe. Njëra prej tyre është që deri tani, neve, asnjëherë nuk na kanë thirrur ndonjë gazetar në një emision debatues për të rrëfyer për kontributin tonë, se si jemi bërë pjesëtarë të luftës për të çliruar Kosovën. Cilat kanë qenë aksionet qe kemi ndërmarr dhe si erdhi deri tek ideja t’i bashkohemi forcave çlirimtare të këtij vendi. Në kohën para sa të fillonte lufta, ju shumë mirë e dini që, shumica prej nesh e kanë lëshuar Kosovën. Por, në kohen kur filloi lufta dhe bombardimet, ne ishim ai grupi që jemi kthyer në Kosovë, për të luftuar. Kjo është një gjë e rëndësishme që duhet ta dinë vetë romët dhe jo romët, për romët. Unë kam qenë vetë aktiv në disa fronte, ku sot emri im nuk përmendet fare ne listat e veteranëve, përkundër ankesave qe i kam bërë. Unë kam qenë në gardën e grupit ‘’Mërgimi’’, tregon Berisha.
Si ndiheni sot pas njëzet viteve për kontributin e dhënë në luftë si pjesëtari i komuniteti rom?
M. Berisha: T’ju them të drejtën jemi të kënaqur që kontribuuam për vendin tonë, por jo edhe nga vetë shoqëria dhe politika e Kosovës. T ‘jemi të qartë, nuk po kërkojmë që ata t’na paguajnë kontributin tonë për luftën që kemi bërë, por së paku t’na respektojnë më shumë. Të punojnë për interesa të përbashkëta, për avancim dhe jo stagnim. Ne kemi ndihmuar mijëra fëmijë të kolegëve tanë, të cilët kane rënë dëshmorë. Jemi përkujdesur për jetimë dhe familjet e tyre. Por, kemi hasur gjithmonë në vesh të shurdhër dhe askush nuk e kishte vullnetin dhe dëshirën për kontributin tonë dhëne në Luftën e Kosovës për çlirimin e vendit.
Edhe pse me dhjetëra pjesëtarë të komunitetit romë ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për fat të keq, vetëm disa prej tyre janë në listën e veteraneve. Nga ana e tjetër, për kontributin dhe meritat e tyre, shumë pakë fletë shteti i Kosovës.