3 Gusht, 2017 - 8:30 pm
Arkeologët francezë e përshkruajnë gjetjen e tyre të fundit si “Pompei i vogël”, duke iu referuar shtet-qytetit romak në Italinë e sotme, i cili është ruajtur mjaft mirë edhe pasi që ishte mbuluar nga mbetjet vullkanike në shekullin I.
Lokacioni i gjetur në jug të Francës, thuhet në shkrimin e DW, që sot e transmeton Koha Ditore, ruan disa mbetje të jashtëzakonshme të shtëpive luksoze dhe ndërtesave publike në brigjet e lumit Rhone që daton prej kohës romake.’ është një prej gjetjeve më të jashtëzakonshme të lokacioneve romake në 40 ose 50 vjetët e fundit”, ka thënë arkeologu udhëheqës i gërmimeve, Bejnamin Clement. Gazeta lokale franceze “Currier Picard” ka cituar Clementin të ketë thënë se kjo gjetje “është një mundësi e paprecedent”. Qyteti i Viennes – tashmë i njohur për teatrin dhe tempullin e tij romak – gjendet në atë që njihej një ndalesë e rëndësishme në rrugën që lidhte rajonin verior të Gaulit me provincën romake të Gallia Narbonensis, në atë që sot është Franca Jugore.
Zona e re e gërmimit gjendet në periferi të qytetit juglindor Vienne rreth 30 kilometra në jug të Lionit.
Zbulimi u bë derisa në atë parcelë po përgatitej të niste ndërtimi i një kompleksi të madh banimi. Ministria franceze e kulturës e shënjoi hapësirën dhe më pas vazhdoi gërmimi i një “gjetjeje të jashtëzakonshme”, pllaka, mozaikë dhe një shkollë filozofike.
Lagjja romake besohet të ketë shtëpi që datojnë qysh prej shekullit I, por supozohet që aty të ketë qene një vendbanim qysh prej shekullit II para erës sonë. Siç ka raportuar AFP-ja duket se është braktisur pas një serie zjarresh. Ndër strukturat që ende ruhen janë edhe ato të objektit të njohur si Shtëpia Bacchanalian. Ndërkohë që një zjarr duket se ka përfshirë katin e parë, çatinë dhe ballkonin e shtëpisë luksoze, pjesët e strukturës. Ndër to, tjegulla mermeri, kopshte ekspansive dhe një sistem furnizimi me ujë. Arkeologët e udhëhequr nga Clementi besojnë se shtëpia duhet të ketë pasur pronar ndonjë tregtar të kamur.
“Ne do të jemi në gjendje ta rikthejmë këtë shtëpi nga dyshemeja deri në kulm “, ka thënë Clementi për AFP.
Një hapësirë e mozaikëve që përshkruan hyjin e gjahut Pan, rrëmbimin e Thalias, muzën e teatrit dhe mbrojtësen e komedisë, gjithashtu thuhet se u gjet në këtë lokalitet. Arkeologët gjithashtu gjetën një ndërtesë të madhe në vendin e një tregu të mëparshëm që besohet të ishte rezervuar për përdorim publik. Clementi beson se aty të ketë qenë edhe një shkollë e filozofisë.
Studiuesit shpresojnë t’i restaurojnë këto gjetje për ta bërë të mundshme hapjen e një ekspozite në Muzeun e Qytetërimit Gallo-Romak në Vienne deri në vitin 2019.
Gërmimet arkeologjike në këtë lokalitet do të vazhdojnë deri në fund të vitit duke dhënë hapësirë për zbulime të tjera. / KultPlus.com