25 Shtator, 2017 - 6:06 pm
Sot, zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, janë informuar për vendosjen e një posteri zgjedhor të një kandidati për këshilltar në Asamblenë Komunale të Prizrenit, në ndërtesën e Kino Lumbardhit, objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Në të njëjtën kohë, QRTK është informuar edhe nga media dhe rrjete sociale për një veprim të tillë.
QRTK në Prizren, informon publikun dhe palët tjera, se njëveprim i tillë i pa autorizuar, është në kundërshtim me Ligjin Nr. 02/L – 088 për Trashëgiminë Kulturore respektivisht me nenin6.10, ku shpreshimisht thuhet: Trashëgimia arkitekturale nën mbrojtje shenjёzohet qartë me një shenjë të dukshme. Vendosja e materialeve reklamuese në monumentet arkitekturale, ndërtesa te asambleve ose brenda hapësirave konservuese arkitekturale bëhet me leje të shkruar nga Institucioni kompetent..
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren sot ka reaguar mbi këtë dëmtim të trashëgimisë dhe vetë Qendrës.
“Kërkojmë nga partitë politike në Prizren të kujdesen që fushatën zgjedhore ta zhvillojnë në suaza të ligjeve në fuqi, si dhe kërkojmë të përmbahen ndaj përdorimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për qëllime zgjedhore. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga kandidati apo partia e tij që të largojnë sa më shpejtë këtë poster. Në të kundërtën, ne si QRTK, do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore për ta bërë një gjë të tillë” thuhet mes tjerash në reagim. / KultPlus.com