Prezantohet projekti për rehabilitimin dhe rijetësimin e Qendrës Historike të Pogradecit

24 Korrik, 2022 - 4:00 pm

Sikurse në disa qytete të vendit, edhe në Pogradec do të rijetësohet Qendra Historike që do të ruajë trashëgiminë dhe vlerat historiko-kulturore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë prezantimit të projektit për Rehabilitimin dhe rijetësimin e Qendrës Historike të Pogradecit, theksoi se “do të jetë një mundësi e shtuar për qytetin e liqerit, të Poradecit e Kutelit”.

Qendra Historike e Pogradecit është hapësira me vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të qytetit të Pogradecit dhe tiparet urbanistiko-arkitekturore që u formuan gjatë historisë së tij.

Margariti nënvizoi se falë këtij projekti do të dalin në dritë një sërë objektesh historike të fillim shekullit XX, do të lidhen itinerare kulturore e turistike.

Ajo nënvizoi se rijetësimi i qendrave historike ka qenë prioritet i kësaj qeveria dhe ka prekur shumë qytete të ndryshme.

Në këtë pikë, ministrja solli në vëmendje Korçën e cila ka marrë një zhvillim të padiskutueshëm dhe që vazhdon tashmë me hapa të qëndrueshëm që të zhvillohet nëpërmjet të gjitha nyjeve, jo vetëm kulturore.

Në fjalën e saj, ministrja bëri me dije se restaurimit dhe rijetësimit do t’i nënshtrohet edhe kalaja e Pogradecit, një dëshmi e historisë dhe trashëgimisë kulturore.

Margariti u ndal edhe te bonusi i rijetësimit duke u bërë thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë për të shndërruar shtëpitë e tyre ose banesat e trashëguara, në bujtina.

Qendra historike përmbledh Ansamblin në Lagjen e Burirnave (Topleci), i cili ruan rrjetin rrugor karakteristik dhe një sërë ndërtimesh, dëshmi e një periudhe të hershme të zhvillimit të qytetit, Ansamblin përgjatë rrugës “Naim Frashëri”, i cili dëshmon për proceset e reja që ndodhen gjatë zhvillimit të qytetit në fillimet e shek. XX, siç është formimi i arterieve tregtaro-shoqërore si dhe Ansamblin rreth rrugicës së ngushtë tërthor me rrugën “Nain Frashëri” (pjesë e Lagjes së Angjellarëve), përfaqësues tipik i lagjeve të vjetra të qytetit, i cili ruan ende karakterin urbanistiko-arkitekturor fillestar.

Me qëllim ruajtjen e vlerave urbanistiko – arkitekturore të Qendrës Historike, brenda kësaj zone do të lejohen vetëm ndërhyrjet sistematike konservuese, restauruese dhe të mirëmbajtjes në Qendrën Historike si dhe në monumentet e të dyja kategorive.

Në Qendrën Historike ndërhyrjet restauruese synojnë ruajtjen e hapësirave urbanistiko-arkitekturore, rrjetit rrugor tradicional nëk ompozim dhe teknikë, duke mbajtur të pandryshuar konfiguracionin e truallit të hapësirave pushuese dhe të bimësisë tradicionale./ata/KultPlus.com

Të ngjajshme