23 Gusht, 2017 - 9:35 am
Nga dokumentarët televizivë, te rrëfimet e djemve të saj dhe teoritë e reja mbi vdekjen e Princeshës se Uellsit, Diana ka pushtuar sërish faqet e para të gazetave 20 vite pas largimit nga kjo botë.
Ajo do të shuhej 31 gushtin e vitit 1997, në moshën 36-vjeçare, kur limuzina në të cilën udhëtonte bashkë me të dashurin Dodi al-Fayed u përplas me shpejtësi marramendëse në një tunel të Parisit, gjatë përpjekjeve për t’iu larguar paparacëve që e ndiqnin me motoçikleta.
Bashkëshortja e parë e trashëgimtarit të fronit, Princit Charles, ishte princesha rrëzëllitëse e “Soap Opera”-s mbretërore që zhvillohej para syve të medias, duke e kthyer atë asokohe në femrën më të famshme të globit.
“Nuk do të ketë më kurrë një tjetër si Diana”, thotë Ingrid Seëard, kryeredaktore e revistës “Majesty”. Përvjetorët e mëparshëm të kësaj vdekjeje kanë pasur më pak bujë, gjë që bëri të mendohej se Princesha e popullit, siç e kishte quajtur Tony Blair, e kishte humbur ndoshta një pjesë të joshjes dhe rëndësisë së saj.
Por, kur dy djemtë William dhe Harry folën në shtyp për të ëmën në 20-vjetorin e vdekjes së saj, Diana ishte sërish kryetitull. Dy princat rrëfyen për publikun traumën e humbjes së nënës dhe impaktin e thellë e të gjatë emocional që pati ajo mbi ta. Afrimin e Dianës me popullin po përpiqen tani ta bëjnë dhe të bijtë, të cilët sipas disa komentuesve janë e ardhmja e monarkisë britanike. / KultPlus.com