22 Shkurt, 2018 - 2:41 pm
Pas deklaratës së Ramës që Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një president të përbashkët, Princ Leka ka hedhur një tjetër propozim.
Sipas princit, Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen me një Mbret.
Pavarësisht debateve, Princ Leka është shprehur se kjo nuk ishte një deklaratë e tij emotive, por një qëndrim i Familjes Mbretërore ndër vite dhe breza.
“Një mbretëri kushtetuese, do të sillte sigurisht më shumë stabilitet, pasi është një institucion që qëndron larg partive politike. Këtu u referohem mbretërive evropiane. Një tjetër shembull janë Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Commonwealth, ku 16 shtete i janë bashkuar kurorës mbretërore.Kjo është një formulë e ngjashme dhe e suksesshme propozuar gjithashtu nga i ndjeri Arbër Xhaferri, i cili ishte nga të fundit vizionare të rrallë të kombit tonë”, tha ai.
“Mbretëritë kushtetuese janë gjithashtu vendet me demokratike që njohim.Familjet Mbretërore sot nuk bëjnë politikën e vendeve respektive, por garantojnë stabilitetin e institucioneve, garantojnë unitetin kombëtar nëpërmjet promovimit dhe mbrojtjes së traditës, vlerave, kulturës dhe historisë së vendit!”- ka deklaruar Princ Leka për Diell Online.
A është gati Princ Leka për të qenë mbreti i shqiptarëve?
Familja Mbretërore do të respektojë kurdoherë vullnetin e popullit! Të jesh Princ trashëgimtar apo Mbret, është një betim dhe dedikim i jetës në shërbim të kombit, dhe jo një post pune!
Përse Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohet me një mbret?
Për qëndrueshmëri dhe përforcim të mëtejshëm të imazhit kombëtar, gjë e cila do të sjellë më shumë prosperitet dhe begati në vendet tona.
Për Mbretërinë Shqiptare Atdheu është një komb i vetëm, fatkeqësisht sot i ndarë në pjesë.