Prishtina e humbur

24 Maj, 2019 - 9:00 pm

Një rrëfim i shkurtër i shkruar në vitin 2014 nga sociologu Ibrahim Berisha për zhdukjen e gjurmëve të Prishtinës së vjetër. Ndër të tjerash, ai sjell në kujtesë lumin e qytetit, rrojtoren “Drita” dhe vreshtat.

Prishtina. Mbas rrënimit të identitetit tradicional, goditjeve sistematike, mbet një përzierje e zbehtë e tradicionales urbano dhe tendencës urbano-socialiste. Prishtina e vjetër deri në mesin e viteve ’60-të (XX) u zhbë, atëherë kur nuk kishte mbetur më gjurmë e Bezistanit, nuk dihej ku kishte qenë Ura e Gurit me Lulen me tri Fletë, dhe qenë shtypur përtokë lagjet e bukura të saj, me shtëpitë përpara me kopshte të rregulluara me trëndafila.
Shtëpitë njëkatëshe, mbasi iu morën pronarëve shqiptarë, si shpërblim për shërbimin, në to u vendosën ushtarakë, policë dhe administratorë komunistë, kryesisht serbë dhe malazez. Jo-pronarët u bënë pronarë, ndërsa pronarët u vranë ose u detyruan të largohen nga qyteti i tyre. Qyteti mbeti pa zotërinjtë e saj dhe më kurrë një herë nuk i pati.

Rrojtorja. Rrojtorja “Drita” qe në qendër të Prishtinës. Në kaos qendre shtruar rrugët me katrore, emri i rrojtores “Drita”, dallohej nga të gjitha lokalet “zejtare shërbyese” se ishte e thekur me kashtë. Pronari, Avni Mehmeti, zotni prishtinas, imponohej me pedantëri, kish flokët e zezë e të dendur, mustaqet po kështu të zezë. “Drita” binte përballë pjesës së mbrapme, të objektit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës. Përzierja e ngjyrave, shkronjat e kuqe në kashtën e verdhë, kjo fafurinë përpara sysh, që nga vitet ’60-të, vështirë do ta shlyejë ndokush nga mendja pa ta ketë parë një herë .
Vite më vonë, duke kërkuar se kush e kishte krijuar atë pano të bukur, sugjestive dhe origjinale, do të takoja, pikërisht thursen e saj, Hatixhe Mehmetin, motrën e Avniut. Ajo tregonte se e kishte thurur sa ishte nxënëse në Normalen e Prishtinës.

Fisnikët. Fisnikët e Prishtinës ishin simboli i bujarisë, humanizmit dhe tolerancës sociale dhe religjioze. E gjithë e mira mori fund më 19, 20, 21 dhe 22 nëntor 1944, me vrasjen dhe burgosjen e familjarëve të tyre. Të mos flitet pastaj për plaçkitjet deri në gjilpërë të gjithë pasurisë së ruajtur dhe krijuar aq gjatë. Brigada XXV me partizanët komunistë-serbë, malazezë dhe pak shqiptarë, e vrau me rrënjë e degë Prishtinën fisnike, traditën, kulturën dhe qytetërimin e saj shqiptar.
Vrau a bëri të humben përgjithnjë fisnikët prishtinas: Shyqri Beg Ramadani, Stakë e Mark Mirdita, Sylejman Beg Prishtina, Fehmi Domaniku, Shefqet Begu, Mehmet Myezini, Haxhi Hysë Daka, Malush e Hamdi Kosova, Dukë Aga, Mustafë Haxhi Agushi, Mahmud Efendia, Vehbi Batalli, Familja Vala, Familja Siqani, Familjen Henci…
Në pronat e tyre dhe mbi Bezistanin është ngritur qendra e Prishtinës; pra mbi dashurinë e tyre të masakruar, ne ecim për çdo ditë, pa pasur një shenjë dikund që do t’ na kujtonte se ishte Qyteti i dyqaneve, zejtarëve, kafeneve, kalldërmit, shadërvaneve, kopshteve, trëndafilave dhe vreshtave, por erdhi nëntori 1944 dhe i vrau të gjitha.
Nuk mjafton as edhe një pllakë kujtimi për familjet fisnike që e bënë Prishtinën Qytet. Prishtina, kryeqyteti i Republikës së Kosovë, është pa traditën fisnike, sepse ajo nuk thuhet askund.

Shiu. Ra shi, ishte tetori. Dy ditë që nuk pushoi shiu. Vërshuan dy lumenjthtë e Prishtinës, që ende ishin të hapur, dhe të bukur, por anash me mbeturina plot. Pastaj uji befas u mblodh dhe po kaq papritur iku, ndërsa mbeten vetëm mbeturinat-inerte përreth lumenjthve. Javën tjetër, ne nxënësit e kl II-3 të gjimnazit “Ivo Llola Ribar” së bashku, dolëm në fotografi me kujdestarin e klasës, prof. Bardhyl Nushi, kur po përfundonte ora e kujdestarisë. Katër vjet më vonë nisi mbulimi i lumenjthve. Prof Nushin, e takova përpara Shtëpisë së Re të Mallrave: Po i varrosin për së gjalli… I kanë varrosur njerëzit e tash duan edhe këta lumenjth që ende lëvizin në këtë qytet.
E kishte zakon të mbledhte buzët, vazhdimisht pshtyente.

Liria. Liria fizike, liria shpirtërore, lira e tillë apo e atillë, pra kjo liria për të cilin njerëzit vrasin a viten, prapë cila është kjo? Të mendosh për lirinë, e ke vështirë pa pëshpëritur mendimin e Fromit se njerëzit nuk janë të dhënë mbas lirisë, së paku jo aq sa thonë, sa paraqiten të jenë dhe sa duan të duken se janë. Është fjala për lirinë dhe jo për ideale. Të besh atë që nuk është e bërë apo të bësh atë që nuk duhet bërë, po, kjo është Liria!? Apo si të bësh të pabërën, mësuam, ja kjo mund të qenka liria.. Liria (antropologjike), si ” mundësi për të zgjedhur” nga më shumë forma, si dhe “mundësi e përcaktimit” të njeriut karshi tjetrit dhe forcës së tij. Liria (politike) pavarësi e popullit nga vullneti i pakontrolluar i individit, ose pavarësia e shteteve nga ndikimi, presioni dhe kërcënimi i shteteve tjera. Liria qytetare, liri e shtypit, mendimit, tubimit dhe marrëveshjes, punës shkencore dhe artistike etj.).

Fotreproteri. Ilaz Bylykbashin kishte vite pa e takuar. Këtë verë ai erdhi nga Melburn i Australisë ku jeton që nga viti 1999. Në “Rings” ndërsa po ulesha për kafe me ca miq, më bëhet se shikimi ngriu në pamjen e zeshkët të Ilazit. Është ai, thashë dhe më riktheu pikëllimin që kisha ndjerë për vdekjes e djalit. Është rikthyer për të çmallur dhimbjen dhe mërzinë e të jetuarit në kurbet, pikërisht tani që Kosova është e lirë, ndërsa ai për mbi njëzet vjet luftoi ditë e natë me aparatin e tij për një pamje, për një fakt më shumë. Ilaz Bylykbashi është njëri nga dëshmitarët dhe përcjellësit më të drejtpërdrejt përmes fotografisë. Thashë – Ilazi, autori i librit me fotografi “555”, kronika që përmblodhi ngjarjet ndërmjet viteve 1981-1996. Fotografitë u punuan në teknikën bardhë e zi tërhequr nga shiriti i këtij fotoreporteri që radhiste mbi 5 000 fotografi dhe nga ato zgjodhiu 555. Thashë paska ardhur dhe u drejtova ta përshëndes dhe ta ngushëllojë. Jam në Prishtina, tha…

Vreshta. Mbushte gjithë kodrën, por ajo është sall e dikurshme. Mbasi, sot duket e zhveshur kur shikohet në veriperëndim nga Aeroporti i Prishtinës. Ishte mahnitëse, veçmas kur vinte vjeshta dhe ne fëmijët, vërshonim kodrinën e skuqur a nxirë nga kalveshët e pjekur. Vjelësit, vreshtarët, gjithë familjarët, zinin në duar kalaveshat me kokrra të dendura e të nxira. Pastaj, një pranverë, axha nxori me rrënjë cungjet e hardhisë. Me kazmë e sopatë, për nja dy javë, kodrina u zhvesh, mbeten pjeshka të rralla ende sa për të rikujtuar të dikurshmen mahnitëse. Kodrinës i humbi identiteti tradicional, ai i rrushit të “gixhes”. Ishte kompleksi i fundit në periferi të Prishtinës, mirënjohur për hardhitë e bukura, që i shënon edhe Celebi.
Duhej paguar tatim edhe për cung rrushi. Paguajmë për gjithçka, dhe tashti edhe për dru peme dhe për cung rrushi, tepër është, ishte arsyetimi…
Ndërsa në vitet ’80-të në Kosovë kishte 14.500 hektarë me vreshta, sot janë rreth 4.500 hektarë. Vreshtari e bën vreshtin po politika e vret vreshtarin, ky është fati i përhershëm i rrushit dhe prodhimeve të tij…

(Shkrimi është publikuar me lejen e autorit) / Insajderi / KultPlus.com

Të ngjajshme