20 Shtator, 2018 - 3:57 pm
Alberina Haxhijaj
Qendra e Gruas “Dera e Hapur” po organizon në Prishtinë Panairin e 14-të të Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore 2018, që mbahet tradicionalisht që nga viti 2005, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane në Kosovë, shkruan KultPlus.
Sheshi “Nënë Tereza” në Prishtinë është bërë strehë e qindra produkteve tradicionale të cilat shpërfaqin edhe trashëgimin e Kosovës. Veshjet tradicionale, punime nga druri, qeramika, metali dhe tentenet janë vetëm disa nga produktet të cilat po ekspozohen në këtë panair. Panair në të cilin nuk mungojnë as ushqimet tradicionale po jo vetëm.
Panairi organizohet si një kremtim i ditëve të trashëgimisë evropiane në Kosovës dhe ky organizim ka filluar që n vitin 2005., pas vendimit të Këshillit të Evropës që Kosova të jetë shteti i 49-të i cili ka të drejtën e organizimit të një panairi të tillë.
Drejtoresha e qendrës “Dera e Hapur”, Beti Muharremi u shpreh se ideja për një panair të tillë ka filluar për faktin se panairi ishte parë si një mundësi e mirë për promovimin dhe shitjen e punimeve të grave, duke përfshirë edhe ato të shoqatës. Tani Panairi ka karakter rajonal dhe përveç artizanëve nga Kosova në panair i ekspozojnë punime e tyre edhe artizanët nga Shqipëria, Mali i zi dhe Maqedonia. Këtë vit në panair po marrin pjesë më shumë se 160 artizanë.
“Gratë të cilat marrin pjesë në kuadër të shoqatës sonë janë gra të varfra, raste social, gra viktima të luftë, gra viktima të dhunës në familje. Prandaj për fuqizimin e tyre dhe për integrimin e tyre është e nevojshme që të bëjmë diçka të tillë. Gratë akoma vazhdojnë që të vijnë dhe ky ka qenë një sinjal që ne me e vazhdu punën tonë dhe me e fuqizu objektiven tonë që në këto punëtori psiko-sociale mos të vinë gratë vetëm me bisedu me psikologen dhe me punëtoren sociale por edhe me realizu një punën të tyren që me u forcu edhe ekonomikisht, pasi që fuqia ekonomike e grave është baza, djepi i zhvillimit të tyre”, u shpreh ajo.
Sipas saj po ashtu e rëndësishme mbetet që punime dhe zanatet e grave por jo vetëm, të cilat i kanë trashëguar me gjenerata të rivitalizohen dhe të përshtaten edhe në ditët e sotme. Sot shumica e punimeve të grave të cilat bëhen në shoqatë janë gërshetuar edhe me punën e kreatoreve të njohura për të sjellë një koleksion në të cilin gjendet të gërshetuar edhe antikja edhe modernia.
Hasan Ndrecaj, 71 vjeçar është një nga artizanët të cilët po ekspozojnë produktet e tyre në këtë panair. Ai vjen nga Suhareka dhe që kur ka qenë 13 vjeçar ka filluar që të realizojë punime të ndryshme me dru.
“Në fillim ka punuar furka të grave, nalle, shtiza, boshte e ma tutje gjëra më të rënda. Krejt u punoj me dorë se për këto nuk munden me u përdor makinat. Vet ua bëjë edhe dizajnin dhe me brisk i gdhendi edhe i shkruaj. Këtë e kam më shumë si trashëgimi dhe vi edhe në panaire. Edhe pse nuk ka shumë interesime, kjo nuk ndikon pasi që vet e kam arrit majën e kam edhe muzeun në Shtimë me 130 punime”, tregoi ai për KultPlus duke shtuar se është gjenerata e katërt që e ka trashëguar këtë traditë nga familja.
Mirëpo përderisa artizanati për dikë mbet një dëshirë për të tjerët përveç dashurisë dhe relaksimit që ua ofron zanati, ai mbetet edhe një burim i mirë për zhvillim ekonomik të familjes. Fatime Zatriqi, nga Veriu i Mitrovicës, të cilës në luftë i është vrarë burri dhe i është kallur shtëpi, tregon se punëdorja i ka ndihmuar me metë gjallë.
“Do i kisha këshillua gjithë gratë që kanë mundësi me punua diçka dhe nuk do të thotë vetëm punëdore edhe pse ajo e ka vlerën e vet, pasi që punon por edhe prej shëndetit je më mirë. Unë i kam 72 vjet dhe në mëngjes kur zgjohem menjëherë marrë e punoj diçka dhe për shëndetin tim është shumë mirë por edhe ja kom pa hajrin shumë”, u shpreh ajo duke treguar se nuk ka dyqanin të vetin pasi që do i kushtonte shumë por punën e saj e bënë në bazë të porosive që merr.
Tutje ajo tregon se pikërisht panairi në Prishtinë ka një rëndësi të veçantë pasi që u ndihmon shumë në promovimin e punës së tyre, punë të cilën tani e bënë së bashku edhe me nusen e saj. Fatime Zatriqi është po ashtu edhe pjesë e shoqatës “Emina”./ KultPlus.com