Produktet e grave nga Kosova, përmes “Sa punë” depërtojnë edhe në Angli e Amerikë

30 Tetor, 2018 - 6:40 pm

Gili Hoxhaj

“Unë besoj se gratë kosovare mund ta ndryshojnë botën dhe unë po bëj diçka në këtë drejtim”, shkruhet në njërën nga çantat e punuara pikërisht nga duart e një gruaje kosovare, e që ndodhet në zyrën e “The Ideas Partnership” në Janjevë.

Në një tavolinë brenda kësaj zyreje janë mbledhur katër gra nga ky vend dhe po diskutojnë për punimet, të cilat kanë tejkaluar edhe shifrën që pritej prej tyre. Me plot vullnet ato vijnë dhe kthehen nga ky takim ku prezantojnë produktet të cilat i kanë punuar për një javë.

Çanta bartëse, kartolina me filigran, çanta të levendes, kuleta me filigran, vath dhe varëse, tregues të librave (bookmarks) me filigran dhe qirinj me filigran janë produktet të cilat një grup i grave të Janjevës dhe një grup i grave nga Fushë Kosova i punojnë me shumë pasion e të cilat arrijnë të shiten edhe jashtë Kosovës, në Angli dhe në Amerikë.

“Sa punë” titullohet biznesi social i cili menaxhohet nga Elizabeth Gowing e që është në kuadër të “The Ideas Partnership” dhe qysh nga viti 2012 ka hapur dyert për trajnimin dhe punësimin e grave, të cilat mbajnë trajnime të vazhdueshme gjatë punës si mundësi për përfitimin e njohurive në krijimin e produkteve të reja. Ky biznes tanimë ka të punësuara tetë gra të komuniteteve të ndryshme ndërsa kushti kryesor për punësimin e tyre ka qenë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë.

Altinë Nika, kordinatore e “Sa punë”, tregon për KultPlus se ky biznes jo vetëm që është i përqendruar në punësimin e grave dhe shkollimin e fëmijëve por njëkohësisht edhe ruan traditën e filigranit.

“Ky biznes ka 8 gra te punësuara, gra të komunitetit rom, ashkali, egjiptian dhe shqiptar. Kushti i vetëm që këto gra të punojnë me ne është t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat e shtetit sidomos në shkollimin fillor, pasi e dimë se sa shumë fëmijë të komuniteteve i braktisin shkollat nga pamundësia financiare. Biznesi ynë jo vetëm që punëson gratë dhe ka target shkollimin e fëmijëve por edhe ruan traditën e filigranit dhe mundëson që totebags të përdoren si çanta në vend të qeseve të plastikës të cilat janë problem për ambientin”, tregoi Nika për KultPlus.

Nika pothuajse çdo javë merr rrugën për në Fushë Kosovë dhe Janjevë ku e presin gratë e këtyre vendeve të cilat pa përtesë prezantojnë punën e tyre dhe në njëfarë forme edhe bilancin e javës, sukseset dhe vështirësitë në punë. Ato tanimë janë edhe përfituese të makinave të qepjes përmes së cilave arrijnë të kryejnë edhe punë të tjera, krahas atyre të porositura.

Nafije Gashi nga Janjeva, tash e gjashtë vite është pjesë e “Sa punë” ndërsa tregon se çdo herë nga takimet që kanë ndahen shumë të kënaqura. Ajo thotë se kurrë nuk i thonë “jo” punës ndërsa ndihet e lumtur që me të ardhurat e fituara kontribuojnë edhe në mirëqenien e familjes.

“Po ja vlen vetëm që po dalim dhe po bashkohemi këtu ndërsa puna ka ecur çdo herë e më mirë përkundër që kemi nguruar në fillim, por ne jemi të lumtura që puna jonë po vlerësohet. Është shumë e rëndësishme që nuk po mbesim edhe pa para, kemi kontribuar shumë në familje, veçmas për fëmijët dhe me ato para ia dalim edhe të blejmë barna për vete. Shumë jemi falënderuese që i kemi makinat në shtëpi dhe besoj që me këto makina do të arrijmë diçka edhe nëse nuk janë koordinatoret me ne”, tregon Gashi për KultPlus.

Sadete Kongjeli e cila është po ashtu nga Janjeva e tash jeton në Prishtinë tregon se ka pasur gjithnjë prirje për rrobaqepësi, mirëpo tash që është pjesë e “Sa punë”, ajo ka përfituar edhe makinën për rrobaqepësi dhe njohuri të reja ndërsa një pjesë të madhe të ditës e shpenzon pranë makinës, shpesh duke tejkaluar edhe shifrën e produkteve që kërkohen prej saj.

“Fillimisht kur nuk e kemi kuptuar punën jemi mbledhur edhe me njëra-tjetrën dhe kemi diskutuar. Më herët kemi pasur shumë më pak të ardhura të cilat i kemi pritur vetëm nga burri, na janë dashur çdo muaj për fëmijë kurse përmes të ardhurave nga produktet që i kemi shitur i kemi ndihmuar familjes ndërsa ka ndodhur që gratë kanë blerë edhe drutë për shtëpi me këto para”, tregoi Kongjeli.

Një grup i grave nga Fushë Kosova që i përkasin komunitetit RAE (rom, ashkali dhe egjiptian), po ashtu tash e sa kohë janë pjesë e biznesit social “Sa punë”, përmes së cilit arrijnë të krijojnë produktet e kërkuara dhe të kontribojnë në shkollimin dhe mirëqenien e familjes.

Heteme Avdiu tha se përmes “Sa punë” kanë arritur që për një kohë të shkurtër ta përvetësojnë punën dhe se tanimë kanë edhe një rreth më të gjerë shoqëror edhe nga vende të tjera. Gratë punëtore tanimë janë kthyer në gra edhe të pavarura ekonomikisht.

“Fëmijët kanë dëshirë ta kryejnë shkollën dhe është shumë mirë që edhe këta po e kryejnë shkollën dhe në të ardhmen mund ta gjejnë një punë. Unë fillimisht s’kam ditur ta shkruaj as emrin tim, tani e kam mësuar. Nëse punojmë ne edhe fëmijët shkojnë në shkollë dhe kemi kushte më të mira por nëse ne nuk punojmë nuk mund t’ia dalim me të ardhurat e një sociali”, tregoi Avdiu.

Më poshtë gjeni edhe çmimet e produkteve që krijohen përmes “Sa punë”.

Çantat e pëlhurës- 2.5€
Kuletat- 4€
Qirinjtë – 4.5€
Treguesit e librave- 4€
Çantat e levendes -1.8€
Kartolinat me filigran 3.€
Vathët e versët 1.5€

Këtë vit “Sa punë” është mbështetur nga donatorë të ndryshëm përmes programit Kickstarter, përmes të cilit u mundësua edhe lansimi i dy produkteve të reja. / KultPlus.com

Të ngjajshme