16 Nëntor, 2018 - 10:00 am
Projektet e transformimit dhe rijetëzimit të fshatrave të Dhërmiut dhe të Vunoit në bashkinë e Himarës, do të jenë të përfunduara brenda muajit qershor të vitit të ardhshëm.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se po punohet me intensitet për të finalizuar këto dy projekte të rëndësishme, që financohen nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës dhe që do të krijojnë një dimension tjetër në funksion të turizmit në të gjithë zonën.
“Janë dy projekte, që së bashku me investime të tjera, do t’i japin një dimension tjetër zhvillimit të turizmit në të gjithë bashkinë, duke i shndërruar këto fshatra në hapësira tepër atraktive për turistët, veçanërisht ata të huaj”, thotë Goro. Sipas tij, këto investime, jo vetëm do të ndryshojnë pamjen e këtyre dy fshatrave, ndër më të njohurat në krejt bregdetin e Jugut, por do të ndryshojnë raportin me vlerat në tërësi të zonës. Është kjo arsyeja që, përmes këtyre dy projekteve, hapësira këtu merr një dimension tjetër, duke shfaqur dhe nxjerrë në plan të parë traditat, për të cilat komuniteti i këtyre dy fshatrave, ashtu sikundër gjithë bregdetit të Himarës, spikat dukshëm.
Aktualisht, puna në terren është në një fazë të avancuar dhe ritmet janë të kënaqshme. Goro sqaron se, në bashkëpunim me firmat që kryejnë punimet për zbatimin e këtyre dy projekteve, është ndërtuar një grafik që garanton ecurinë dhe përfundimin e tyre brenda muajit qershor të vitit të ardhshëm, çka do të thotë pothuajse në prag të fillimit të sezonit veror, që praktikisht nis në fillim të muajit maj. Në këtë drejtim, ka ndihmuar edhe mbështetja e komunitetit të banorëve, të cilët e mirëpresin këtë investim të rëndësishëm, që ndikon efektivisht në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit. Përmes këtyre dy projekteve, Dhërmiu dhe Vunoi, shndërrohen në dy pika reference për turizmin në këtë zonë, ku detit dhe plazheve të mrekullueshme, u shtohen edhe vlera të vërteta që lidhen me traditat, aq të pëlqyera për turistët.
Në fshatin Dhërmi, numërohen rreth 2600 banesa dhe godina të tjera, që janë pjesë e procesit të rikonstruksionit, ndërkohë që në Vuno, numri i tyre shkon në rreth 230.
Këto banesa, përfaqësojnë dhe reflektojnë, jo vetëm traditat në ndërtim, por edhe stilin e jetesës, prandaj dhe projektet në fjalë, që synojnë të rikthejnë në identitet këto dy fshatra, respektojnë në detaje të gjithë elementët dhe parametrat arkitekturorë e urbane të periudhave kur janë ndërtuar.
Veç riparimit dhe restaurimit të fasadave, çative, dyerve, dritareve dhe grilave, në përputhje të plotë me traditën dhe kohën kur janë ndërtuar banesat, projektet përfshijnë edhe plotësimin me infrastrukturën rrugore. Të gjitha rrugicat do të ndërtohen me kalldrëmin tradicional, aq i veçantë dhe karakteristik për këtë zonë, ndërkohë që gjithçka do të plotësohet me sistemin e kanalizimeve, me ndriçim dhe elementë të tjerë të nevojshëm.
Prej verës së vitit të ardhshëm, këto dy projekte me një vlerë prej më shumë se 5 milionë eurosh, vlerësohen se do t’i japin një impuls të ri zhvillimit të turizmit në bregdetin e Himarës.
Fshatrat e Dhërmiut dhe Vunoit, së bashku edhe me Kuçin dhe Lukovën, në bashkinë e Himarës, janë përfshirë në Programin Kombëtar të qeverisë shqiptare “100 Fshatrat”, që synon të realizojë modele zhvillimi të integruar./ KultPlus.com