Projekti i Kanioneve të Nivicës, publikim edhe në Kinë

1 Shtator, 2017 - 9:00 am

Projekti për një model të ri të turizmit të qëndrueshëm në zonat rurale ka marrë jehonë jo pak. Mediat shqiptare dhe ato të huaja po vijojnë publikimin për Nivicën.

Së fundmi edhe në Kinë është shkruar për këtë projekt pilot. Kjo bëhet me dije nga vetë drejtori i AKB Auron Tare, i cili ka postuar në Facebook materialin e publikuar nga www.jiemian.comnë Kinë. Sipas drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit u zgjodhën kanionet e Nivicës për një model të shtrirjes së turizmit nga zonat bregdetare në ato malore.

“Zgjodhëm kanionet e Nivicës si një zonë totalisht e panjohur, e paprekur, e cila është një ilustrim shumë i mirë i këtij koncepti që ne po krijojmë. Po krijojmë për herë të parë në Shqipëri, një model të tillë të shtrirjes së turizmit nga zona bregdetare në zonat malore”, ka pohuar Auron Tare.

Më herët ishte “The Associated Press” e më pas duke iu referuar kësaj edhe “Washington Post” që botuan një shkrim kushtuar fshatit Nivicë në Tepelenë. “Projekti që synon të tërheqë turistë në fshatrat e thella të Shqipërisë”, është titulli i shkrimit të gazetares Elena Becatoros. Por që nga koha kur u publikua ky shkrim media të huaja i kanë dhënë shumë rëndësi këtij projekti duke e pasqyruar gjerësisht. / KultPlus.com

Të ngjajshme