24 Prill, 2019 - 9:00 am
Fundi i vitit të kaluar ishte paralajmëruar si afat kur muzeu “Ibrahim Kodra” në kryeqytet do të hapte dyert për vizitorë. Kjo kohë e hapjes ishte përmendur në qershor, përderisa Komuna e Prishtinës dhe fondacioni “Ibrahim Kodra” kishin nënshkruar një memorandum bashkëpunimi.
Në tetor ishin publikuar disa pamje të projektit ideor se si do të dukej muzeu në ish-ndërtesën e bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani”.
Por me kaq ka përfunduar gjithçka sa i përket realizmit të projektit. Nuk është bërë më asnjë hap sa i përket kësaj çështjeje. Meqenëse bëhet fjalë për adaptimin e një monumenti, Komuna do të duhej që projektin ta dërgonte për aprovim në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Adrian Berisha, asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, njëherësh këshilltar i kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ekipi i arkitektëve të angazhuar nga fondacioni “Ibrahim Kodra” e ka hartuar projektin ideor. “Jemi në bashkëbisedim me IKMM-në që ata të shohin se a mund të realizohet ky projekt. Biblioteka e dimë që është nën mbrojtje. Tash ne jemi duke iu qasur problemit nga fillimi. Tash do t’i dërgohet IKMM-së dhe ata do ta shohin se çfarë punimesh do të bëhen”, ka thënë ai. Ka kritikuar qasjen e mëhershme sa i përket muzeut.
Por përgjigjja që ka marrë gazeta nga IKMM-ja është se në këtë institucion nuk ka shkuar ndonjë projekt për shqyrtim.
Madje projekti nuk ka arritur as në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë./ ndertimiinfo/ Kultplus.com