Promovohet katalogu i artit pasbizantin në Muzeun Historik Kombëtar

24 Prill, 2023 - 3:38 pm

Sot, në ambientet e pavijonit të ikonave pasbizantine, Muzeu Historik Kombëtar bëri promovimin e katalogut “Ikonat pasbizantine në Muzeun Historik Kombëtar” në gjuhën angleze, të autorëve dr. Dorian Koçi dhe Andrea Llukani.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha se Muzeu Historik Kombëtar si institucioni më i madh i memories kombëtare për të përmbushur misionin e tij, ka botuar katalogun në gjuhën angleze “Post-Byzantine Icons in The National Historical Museum.

Pavijoni i ikonave pasbizantine është ngritur në vitin 1999, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Në mjediset e këtij pavijoni janë ekspozuar rreth 70 ikona pasbizantine, një proskinitar, dyer të bukura dhe një ikonostas. Objektet përfshijnë një hark kohor që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX, që njihet si periudha e artit pasbizantin.

Në katalog ka ikona të ikonografëve Onufri, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Kostandin Jeromonaku, Joan Athanasi vëllezërit Zografi, vëllezërit Çetiri, anonimë dhe Mihal Anagnosti. Katalogu ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë trajtohen ikonat pasbizantine, ndërsa në pjesën e dytë, objektet liturgjike kishtare prej ari dhe argjendi.

Materiali është renditur sipas radhës kronologjike. Për jetën dhe veprimtarinë artistike të piktorëve ikonografë, autorët janë mbështetur te mbishkrimet kishtare, që ata kanë lënë mbi ikona, afreske ose objekte liturgjike kishtare. Katalogu mbyllet me një fjalorth, me anën e të cilit shpjegohen veshjet kishtare dhe enët e shenjta që përmenden në tekst./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme