Promovohet revista Arkivore, botim i përbashkët i Arkivave Shqipëri-Kosovë

17 Nëntor, 2018 - 8:00 pm

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës promovuan sot në Pallatin e Kongreseve, salla Ovale, Revistën Arkivore si botim i përbashkët i dy arkivave, pjesë e përpjekjes së unifikimit të punës arkivore në të gjitha Trevat Kombëtare. Ky Promovim Reviste u zhvillua edhe me rastin e Panairit të 21 të Librit ku Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave mori pjesë pas 6 vjetësh mungesë me botimet Arkivore ndër vite.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dy drejtorët e dy institucioneve kryesore Dr. Ardit Bido Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave Shqiptare, Ramë Manaj, Kryeshef i Arkivave të Kosovës, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri Sylë Ukshini dhe Pranvera Dibra Drejtoreshë e Arkivit të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, arkivistë dhe studiues të fushave të ndryshme.

“Kemi sot kënaqësinë të prezantojmë në numrin e dytë Revistën e Përbashkët Arkivore për të bashkuar energjitë tona që të kemi mundësi të lëmë të shkruar botime dhe studime që do të shërbejnë për të ardhmen. Kjo pjesë është një bashkëpunim i vyer dhe i rëndësishëm ndërmjet Arkivave Shqiptare dhe Arkivave të Kosovës, një bashkëpunim që ka dekada që është aktiv por që ne jemi përpjekur që gjatë viteve të fundit ta konkretizojmë nëpërmjet bashkëpunimeve të cilat kanë pasur gjithmonë produkte,dhe sot bashkuam gjithë fuqitë tona në mënyrë që në këtë rrugë shkencore të shkëmbjemë informacione me njëri tjetrin për të pasur një të ardhme të të dyja arkivave në të gjitha hapësirat shqip folëse të përbashkëta. Kemi një trashëgimi të vyer nga Agjencia e Arkivave të Kosovës dhe po ashtu kemi produktin e përbashkët të arkivistëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë që e pasurojnë duke arritur në këtë produkt”- tha Bido duke i kaluar fjalën kryeshefit të Arkivave të Kosovës Ramë Manaj.

“Me rastin e ditës së sotme, të Promovimit të Revistës së Përbashkët Arkivore, është një ditë e shënuar sidomos për arkivat e Kosovës që nesër do të jetë histori. Arkivat janë shkencë me të ardhme të ndritur, dhe bashkëpunimi me Arkivat e Shqipërisë ka plotësuar zhvillimet e arkivistikës. Nga viti që vjen diçka të ngjashme do ta bëjmë dhe në Prishtinë dhe bashkëpunimi nuk do të jetë vetëm në Shqipëri –Kosovë por dhe në treva të tjera Shqiptare”, tha Manaj duke falenderuar dhe një herë Drejtorinë e përgjithshme të Arkivave për këtë bashkëpunim të vyer.

Gjithashtu përshëndetën me fjalët e tyre Pranvera Dibra, Drejtoresha e Arkivit të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri Sylë Ukshini, Dr. Endrit Musaj, Drejtor i Drejtorisë së Inspektim Trajnimit, Prof. Ilira Çaushi, Drejtorishë e Institutit të Studimeve Evropiane si dhe anëtare e KLA-së si dhe Sonila Boçi, studiuese në Akademinë e Studimeve Albanologjike. /j.p/ KultPlus.com

Të ngjajshme