11 Nëntor, 2017 - 3:57 pm
Disa organizata joqeveritare në Gjilan kanë protestuar për të kundërshtuar largimin e përmendores e cila njihet si “Ushtari i panjohur”, pasi siç u tha kjo po bëhet pa diskutimin me qytetarët.
Sipas organizatorëve, deri më tani janë mbledhur më shumë se 380 nënshkrime të qytetarëve që kërkojnë të mos ndryshohet lokacioni i skulpturës, pasi lëvizja e skulpturës disa metra më lartë është e paarsyeshme dhe denigron këtë monument kulturor.
Albesa Aliu përfaqësuese e organizatës “Change”, ka thënë se komuna e Gjilanit fare nuk është konsultuar me qytetarët por gjithashtu ka dështuar të dëshmojë se Kuvendi Komunal ka marrë vendim për zhvendosjen e monumenteve.
“Ne vlerësojmë se debati i ngritur si shprehje e pakënaqësisë për veprimin e komunës rreth mënyrës së zhvendosjes së monumentit të njohur për publikun si ushtari i panjohur, pavarësisht historikut të saj dhe kërkesa që e njëjta të kthehet në vendin ku ka qenë është legjitime dhe si e tillë kërkojmë që të trajtohet seriozisht në institucionet komunale. Diskutimet duhet të mirëpritet nga komuna derisa komunikimi duhet të bazohet mbi argumente, rreth adresimit të nevojave të komuniteteve dhe kurrsesi mbi gjuhën e nxitjes së urrejtjes“, ka thënë ajo.
Vlora Shabiu nga organizata joqeveritare “KAN”, ka thënë se përkundër kërkesave që kanë bërë në komunë për të pas qasje në procedurën dhe vendimet lidhur me këtë monument, një gjë e tillë nuk është lejuar nga komuna.
“Andaj ne si organizata kërkojmë nga institucionet e lartpërmendura të shqyrtojnë situatën e krijuar”, tha ajo, derisa një person pastaj tentoi ta sulmonte për t’ia ndërprerë fjalimin e saj por që u mbrojt nga protestuesit tjerë, të cilët derisa kërkuan ndihmën e policëve që gjendeshin aty, por të njëjtin nuk ndërhynë, duke lejuar që i riu të largohet nga aty.
Kurse, i moshuari, Sabit Idrizi për KosovaPress ka treguar se për këtë përmendore ka pasur dy variant për emërtimin e saj, serb dhe shqiptar.
Sipas tij, kjo përmendore nuk duhet të largohet pasi që është simbol i masakrës së Gjilanit pas luftës së asaj kohe ku u masakruan rreth 8 mijë e 700 njerëz.
“Varianta e serbëve u kon gjojase një femer dikun u mbyt e me ngritë këtë përmendore në emër të asaj femre, varianta e shqiptarëve ka qenë masakra e Gjilanit në atë kohë pas luftës që janë pre 8 mijë 700 njerëz, që janë masakruar, edhe askund nuk shënohet. Përmendorja është ngritur, emër si kanë vu nuk është hero i panjoftur, është qytetar që e simbolizon masakrën e Gjilanit në luftë që e mban trupin ndër sqetull, hiq mos shko ma larg, kqyre ka një trup edhe një këmbë masakra që u pre Gjilani…kjo përmendore nuk është dashtë me u hjek”, tha ai.
Protesta u organizua nga Kartoni i Kuq dhe Organizata kulturore “Varg e vijë”.
Përndryshe, organizatorët kanë thënë se e respektojnë dhe i gëzohen vendimit për sjelljen e skulpturës së Idriz Seferit, por sugjeruan që kësaj skulpture t’i gjendet një vend meritorë, e jo të jetë zëvendësuese e skulpturës së vjetër. / KultPlus.com