9 Maj, 2019 - 10:42 am
Dita e Evropës është ditë ceremoniale, që shënohet më 9 maj të çdo viti, nga Bashkimi Evropian (BE), në njohje të paqes, prosperitetit dhe unitetit të arritur brenda Evropës, që nga formimi i kësaj organizate.
Kjo ditë, në vendet anëtare, shënohet duke vendosur flamurin e Evropës. Ndërsa nga ky vit, pos shënimit të ditës, 9 maji është bërë festë zyrtare dhe ditë pushimi në Luksemburg.
Por, pos këtij vendi të Bashkimit Evropian, 9 maji – Dita e Evropës – është festë zyrtare edhe në Republikën e Kosovës, dhe shënohet si ditë pushimi. Kjo edhe përkundër faktit se Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian. Aktualisht, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e fundit edhe në procesin e integrimit në BE dhe vendi i vetëm i papërfshirë në zonën e lëvizjes së lirë, pa viza, brenda shteteve të BE-së.
Në një diskutim të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, shefja e këtij dikasteri qeveritar, Dhurata Hoxha, faktin që “Dita e Evropës” është festë zyrtare në Kosovë, e ka cilësuar si dëshmi të pro-evropianizmit të Kosovës.
“Pas liberalizimit të vizave, shpresojmë që kjo do të jetë java e fundit që e festojmë 9 majin, apo javën e Evropës, të izoluar. Shpresojmë që edhe të rinjtë e Kosovës do të bëhen të barabartë me homologët e tyre evropianë dhe ne shpresojmë që BE nuk do të vonohet më shumë në këtë drejtim. Vetë fakti që Kosova është i vetmi vend evropian që e shënon 9 majin, pra Ditën e Evropës, dëshmon edhe orientimin evropian të Republikës së Kosovës. Pra përkundër faktit se ende nuk e gëzojmë lirinë e lëvizjes në zonën ‘schengen’, Kosova përbën vendin më pro-evropian në Evropë”, ka thënë ajo në këtë diskutim.
“Dita e Evropës” është vetëm një nga njëmbëdhjetë (11) festat zyrtare vjetore në Kosovë, sipas Ligjit për Festat Zyrtare, të cilat shënohen me ditë pushimi.
Të plotë mund ta lexoni në Raio Evropa e Lirë