22 Nëntor, 2018 - 10:37 am
Publicistja Entela Komnino do të prezantojë një zbulim të shumëfishtë në Sesionin shkencor për 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit, mbi gjuhën shqipe.
Për autoren e studimit ‘Shqipja si gjuhë retorike’, deri në shekullin XVII gjuha shqipe ka funksionuar si retorikë dhe ky është rasti i vetëm që paraqet një gjuhë popullsie.
Në një intervistë për ATSH, Komnino shprehet se ky është një fenomen që e kanë dëshmuar shumë autorë, por në mënyrë të shkëputur dhe që nuk është konsideruar në teoritë globale si të gjuhës, ashtu edhe të retorikës. Në 2500 vjet retorikë, ‘shqip’ ka treguar të ketë qenë gjuhë e komunikimit të një popullsie retorësh në Mesdhe që quhej shqiptare.
Çfarë përmban zbulimi juaj?
Në fakt është një fenomen që e kanë dëshmuar shumë autorë, por në mënyrë të shkëputur dhe që nuk është konsideruar në teoritë globale si të gjuhës ashtu edhe të retorikës. Në 2500 vjet retorikë, ‘shqip’ ka treguar të ketë qenë gjuhë e komunikimit të një popullsie retorësh në Mesdhe që quhej shqiptare. Zbulimi i shumëfishtë sepse ka të bëjë si me faktin që me shqip deri në fillim të viteve 1600 është kuptuar riprodhimi përmendësh i një formule kishtare (të paktën siç dokumentohet), ashtu edhe me gjetjen e retorikës në gjendje gjuhe.
Çfarë ju bëri të arrinit në këtë përfundim?
Prej kohësh më bënte përshtypje kuptimi i fjalës ‘shqip’, për të cilin Matzinger dëshmon se ka treguar vetëm të folurën deri tek Buzuku e Budi. ‘Shqip’ si emërtim ka treguar gjuhën e popullsisë vetëm duke filluar nga Bogdani. Nga ana tjetër, mbiemri ‘shqiptar’ që flisnin ‘shqip’, kuptonte oratorin duke ngritur një pyetje: çfarë gjuhe flisnin shqiptarët?
Që do të thotë?
Disa kuptime të leksemës ‘shqip’ e tregojnë këtë. Shqiptarët flasin një gjuhë që ‘flet përmendësh’, ‘kupton’, ‘artikulon’, ‘përkthen’ dhe ‘tregon’ fillimet. Përveç riprodhimit me gojë dhe gjuhës së popullsisë sot, ‘shqip’ ka treguar ‘kuptimin’, thotë Konica në fjalën ‘shqipoj’ pra Shqipëri thoshte ai, do të thotë në njëfarë mënyre vendi i Kuptimësisë. Semantikën e ‘kuptimit’ e jep edhe albanologu Hahn që shkruante në 1854 se ‘shqiptar’ donte të thoshte ‘njeri i kuptuar’. Po brenda viteve 1800, Da Lecce i dërguar nga Vatikani thotë se ‘shqip’ tregon të folurën (oratorinë) dhe shqiptar është orator. Hahni jepte tre kuptime për fjalën shqip, një nga të cilat e lidhte me ‘shkop’ si tingëllim, si kuptim me skeptër që e mbante shqiponja pelasgjike dhe shkrepje. Për më tepër tregonte të kishte gjetur qytetin dardan të përmendur nga Ana Komnena të Shkopoi-t. Gjetja më e çuditshme për rrënjë që ngjajnë me kompleksin ‘shqip’ është ekzistenca si përkthim në anglishten e vjetër të leksemës ‘creator’ me ‘scieppan’ (Zeusi është Creator), një fenomen që tregon se mund të gjenden gjurmë edhe për kohëra kur shqipja duket e padokumentuar, por që ngjan sot më shumë me fjalët e vjetra të gjuhëve të tjera. Mbështetja kuptimore e leksemës ‘shqip’ edhe me përdorime ende të sotme sipas kuptimit artikuloj (shqiptoj), përkthej (shqipëroj) plotëson sa më lart.
Si i parashikoni të ardhmen e një teorie të tillë?
Piketat e fenomenit që rindërton vërtetimi i shqipes si gjuhë retorike do të kenë një efekt zinxhir përsa kohë studimet e dertianishme kanë vendosur shtampa fenomenesh dhe përfundimesh që nuk përfshijnë gjithë fenomenet. Kur them shqip në këtë rast kam parasysh që vetë ajo është rasti i një gjuhe popullsie, por edhe retorika është një fenomen global dhe nuk gjendet deri tani asnjëherë e përshkruar të jetë mishëruar jashtë rregullave në një gjuhë popullsie, madje as të popullsive me të cilat tregohen librat e parë të retorikës. Dhe kjo ka ndodhur për 2500 vjet.
Ju e prozantoni punimin tuaj në kuadrin e festimeve të Kongresit të Manastirit…
Një ngjarje që e konsideroj nga më të mençurat e burrave dhe gruas që ruajtën këtë prodhim njerëzor të quajtur ‘shqip’. Por vetë kodifikimi do të duhet të shihet ndryshe pas gjetjes së një gjuhe retorike dhe retorikës së gjuhëzuar.
Çfarë mendoni më konkretisht me këtë ndryshe?
Studimi më ka bërë të pyes se përse duhej shpjeguar kapaciteti retorik kur ai ishte i shprehur me gjuhë në komunikim. Pra çdokush që fliste një gjuhë retorike e kuptonte tjetrin sipas substancës së kësaj gjuhe dhe jo konvencioneve të rrjedhura që e bëjnë psh gërmën ‘c’ të funksionojë në 6 variante në italisht. Vendimi për të shkruar ‘një tingull një gërmë’ është gjithashtu pjesë e kësaj natyre gjuhësore- retorike, që e lejon ‘c’ të lexohet ‘c’ gjithmonë duke u ngjitur deri në njësitë më të mëdha në sistem me një drejtpërdrejtësi të tillë. E kur themi që retorika ishte pjesë e kësaj gjuhe, kjo drejtpërdrejtësi ngjitet deri tek mendimi, ose burimi i gjuhës.