27 Nëntor, 2018 - 9:00 am
Dy ditë para 106 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, në këtë vit të Skënderbeut dhe në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Lëvizja Vetëvendosje organizoi promovimin e librit “Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike”.
Kështu nis njoftimi i kësaj partie, për aktivitetin e djeshëm. Në njoftim thuhet se për rëndësinë e këtij botimi folën disa nga autorët e eseve të këtij libri, duke nisur nga studiuesi i filozofisë Elvis Hoxha, studiuesit e shkencave politike Enis Sulstarova, Hysamedin Feraj dhe Gent Carrabregu, shkrimtari dhe njëherësh botuesi i librit Krenar Zejno dhe studiuesi i historisë Durim Abdullahu. Po ashtu, mendimet e tyre për këtë punim kolektiv i ndanë me të pranishmit edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Avni Dehari dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes, Arbër Zaimi.
“Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike” është realizuar nga Instituti Politik i Studimeve Humane në Tiranë dhe është botuar nga Shtëpia Botuese “ZENIT”. Sipas njoftimit, botimi synon riaktualizimin e mendimit politik të figurave qendrore të Rilindjes Kombëtare dhe të historisë së letrave shqipe.
“Nga Frang Bardhi deri tek Ukshin Hoti, mendimi politik shqiptar është i pandashëm nga projekti i bashkimit kombëtar në një shtet demokratik dhe anti-autoritar. Ky projekt është aktual për aq kohë sa gjendje e shqiptarëve nuk është në lartësinë e këtij vizioni politik”, thuhet në njoftim.
“Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike” është pjesë e një cikli të nisur në vitin 2012 me dy botime pararendëse “Publikja shqiptare 1: Ese kritike” dhe “Publikja shqiptare 2: Figurat e skandalit”. Kontribuuesit e këtij numri vijnë nga lëmitë politike, akademike dhe artistike të letrave shqipe.
“Fraza Politike” risjell mendimin e kondensuar në fraza nga disa prej figurave qëndrore në historinë e letrave shqipe përmes analizave eseistike të tyre. Si njëri nga kuratorët e këtij botimi dhe si kontribues në të, Elvis Hoxha, njëherësh anëtar i Kryesisë së Lëvizjes, u shpreh se përmes frazave politike ky botim nxjerr në pah publiken shqiptare dhe çfarë do të kishim qenë si komb në sytë e këtyre frazave.
Për Elvis Hoxhën problemi i shqiptarëve ka qenë gjithnjë mungesa e teorisë mbi historinë tonë kombëtare pasi nuk jemi mësuar ta regjistrojmë trashëgiminë e reflektimeve tonë historike. Ky botim është edhe një ftesë për projekte të tilla të ngjashme nga lëmi të ndryshme të letrave shqipe.
Në fjalën e tij, kryetari i Lëvizjes Albin Kurti theksoi rëndësinë e qasjes së këtij botimi duke thënë se ky libër është nga ata botime që i përndjek autorët dhe në të njëjtën kohë u paraprin autorëve.
“Tekstet e kësaj fraze politike nuk janë të lehta sepse janë të drejta, e duke qenë të drejta thërrasin në përgjegjësi publike për çështjen kombëtare. Të jesh shqiptar është përgjegjësi. Të qenit shqiptar është pjesë e jona, por është pjesë më e madhe se ne”, tha Kurti.
Përgjatë prezantimit, u vu në pah se ky libër është shenja e bashkimi historik të shqiptarëve për nga temat që trajton dhe shenja modeste e bashkimit gjeografik për nga autorët që kanë kontribuar në të. Autorët theksuan faktin se Shqipëria akoma nuk është plotësisht Shqipëri për sa kohë Kosova është e ndarë prej saj. Pikërisht, frazat politike janë ato që na i organizojnë marazet politike të ndarjes kombëtare. Shprehjet politike janë ato që na nxjerrin nga prehja e të qenit spektatorë të një historie që luan me fatin e shqiptarëve. Frazat politike janë ato që na hedhin në aksione politike.
“Publikja Shqiptare 3 – Fraza Politike” shënjon vazhdimësinë e mendimit politik të Rilindjes Kombëtare në funksion të bashkimit, çlirimit dhe organizimit demokratik të hapësirës tonë publike si shqiptarë; parakusht ky për stabilizimin e jetëve tona private.
Vizioni i Rilindjes Kombëtare është një projekt demokratik dhe anti-autokratik i cili mbetet për t’u përmbushur dhe që vazhdimisht thërret ndjekës bashkëkohor të tij. Shumica e Rilindasve ishin të përndjekur politik të cilët do të vazhdojnë të jenë të përndjekur deri sa projekti i tyre të realizohet në një bashkim politik dhe demokratik të shqiptarëve.
Për sa kohë projekti jonë kombëtar vazhdon të jetë i ndrydhur, pyetja nuk shtrohet se si duket Rilindja Kombëtare në sytë tanë, por se si dukemi ne në sytë e Rilindjes tonë Kombëtare./KultPlus.com