Publikohen monedhat përkujtimore të vitit 1969

29 Nëntor, 2019 - 4:39 pm

Banka e Shqipërisë, përmes monedhës 1 Lek të vitit 1969, përkujton 75 vjetorin e Çlirimit të Atdheut nga regjimi nazi-fashist.

Çlirimi i Shqipërisë, më 29 Nëntor 1944, i gjeti selitë e të gjitha degëve të Bankës Kombëtare të Shqipënisë me sportele të mbyllura. Sportelet e degëve u hapën pas themelimit të Bankës së Shtetit Shqiptar, e cila u përurua zyrtarisht më 22 janar 1945.

Monedha e përzgjedhur për të ilustruar këtë moment historik është pjesë e serisë së monedhave të emetuara në vitin 1969, përkujtimore dhe me kurs ligjor, me vlerë 1 Lek, 5, 10, 20 dhe 50 qindarka, shtypur në Kinë, me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

Pjesa e përparme e monedhës paraqet gdhendjen e imazhit të skulpturës “Partizani Fitimtar”, realizuar nga Odhise Paskali dhe e vendosur në Mathauzen, Austri, në vitin 1968. Ndërkohë, pjesa e pasme e monedhës mban stemën e Republikës së Shqipërisë të rrethuar nga yje dhe vitet 1944-1969. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme