24 Shtator, 2020 - 3:53 pm
Në ambientin ku zë fill trashëgimia kulturore e Kosovës, në Muzeun Kombëtar u bë përurimi i udhëzuesit për standardet e hartimit të planeve menaxhuese të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.
Nën prezencën e ministres për Kulturë, Rini dhe Sport, ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore u bë prezantimi i këtij udhëzuesi me rëndësi për kulturën në vend.
Ky udhëzues i cili është rezultati i përpjekjeve afatgjata të Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të ketë kontribut kyç për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
“Ne këtu po e prezantojmë një udhëzues të planeve menaxhuese, se si duhet të hartohen ato, të cilat e kanë një rol të rëndësishëm dhe kanë dal nga kërkesat e grupeve të ndryshme punuese dhe nga raportimet që nga viti 2014”, u shpreh ministrja Dumoshi.
Në anën tjetër, ambasadori Braathu theksoj se ky udhëzues është rezultat i bashkëpunimit në mes të anëtarëve të misionit të OSBE-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Udhëzuesi ka për qëllim të jetë i përdorshëm, praktik dhe frymëzues dhe është i adresuar për të gjithë palët e interesuara në përfshirje të menaxhimit të trashëgimisë kulturore”, tha ambasadori Jan Braathu.
Në fund ai shtoj se udhëzuesi duhet te jetë frymëzues për faktin se ri-përpilimi i këtyre dokumenteve të cilat ndihmojnë trashëgiminë kulturore duhet të bëhet çdo 5 vite. Pas fjalimeve ministrja Dumoshi ia dhuroj një mini- statujë të Hyjneshës në Fron si dhuratë ambasadorit Braathu, të cilën ai e priti gëzueshëm.
Në fund, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me ambasadorin e OSBE-së Jan Braathu dhe stafin e përbashkët e vizituan brendinë e Muzeut Kombëtar të Kosovës, për çka Braathu u nda i kënaqur me pasurinë trashëgimore. /KultPlus.com