18 Dhjetor, 2018 - 3:19 pm
Puka parajsa e fshehtë e Veriut, e kthyer tashmë në një destinacion turistik, ofron për vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin sidomos në prag të Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve.
E mbuluar nga petku i bardhë i dëborës, Puka, ka ndezur dritat e festave të fundvitit.
Reflektimi i dritave mbi liqen, sjell një pamje mbresëlënëse, sidomos në këto ditë dimri.
Qendra e qytetit të Pukës dhe Liqenit të Vogël po përjeton një ndërhyrje të rëndësishme, që synon ta shndërrojë atë dhe rrethinat e tij në një atraksion të ri turistik gjithëvjetor.
Puka e ndodhur në qendër të Shqipërisë veriore ofron një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.
Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë për shëtitje, ski, alpinizëm, etj.
Bashkia e Pukës ka publikuar disa fotografi me pamje nga qyteti nën magjinë e dritave dhe dëborës./A.T.SH/ KultPlus.com