29 Dhjetor, 2017 - 9:04 am
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli insiston në idenë e tij që të transferohet Kampusi i Universitetit të Prishtinës nga zona e qendrës, në një zonë periferike të kryeqytetit.
E në zonën ku momentalisht ndodhet Kampusi Universitar, Pacolli thotë se është paraparë ndërtimi i një xhamie. Sipas Pacollit, kjo do të bëhet vetëm atëherë kur të sigurohet hapësira e nevojshme për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
“Aty unë e kam paraparë ndërtimin e një faltoreje, e cila është një arkitekturë super moderne dhe është një arkitekturë e cila rrallë kund mund të shihet”, ka thënë Pacolli për televizionin Kohavision.
Por, ai ka thënë se fillimisht duhet të arrihet një kompromis me Universitetin e Prishtinës.
“Nëse ne arrijmë kompromisin që të zhvendoset Kampusi universitar jashtë zonës së qytetit, atëherë vije pika 2 – do të ishte hipokrite që të paramendohet se ne do të ndërtojmë një xhami mbi universitet”, deklaroi nënkryetari i Prishtinës.
Idetë e Pacollit nuk i mbështetë Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.
“Momentalisht e kemi atë lokacion. Unë e kam diskutu disa herë me Bashkësinë Islame për ta pa mundësinë e ndërrimit të lokacionit, por nuk ka pasë gatishmëri” ka thënë mes tjerash në reagim Ahmeti.
Universiteti i Prishtinës, në anën tjetër, ende nuk ka dalë me asnjë qëndrim rreth këtyre zhvillimeve. / KultPlus.com