29 Gusht, 2021 - 12:58 pm
Pas një pune të gjatë e të kujdesshme merr formë një nga sheshet më interesante rreth monumenteve dhe kompleksit të qendrës mesjetare në qytetin e Beratit.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani, thekson se “në Berat ndihet “aromë” tradite në çdo rrahje çekiçi, gur më gur e duke iu përmbajtur punimit të vjetër me kalldrëmin prej zejesh miks ranore prej lumit “Osum” dhe gurit gëlqeror të bardhë”.
“Ky “oaz” mesjetar, pas restaurimit të “Xhamisë “Mbret”, ” Teqesë së Helvetive ” dhe trajtimit të sheshit mes tyre, do të jetë shumë shpejt nga destinacionet e guidave turistike shqiptare dhe jo vetëm”, – tha Kallfani.
Rilindja e qendrës mesjetare të qytetit të një mbi një dritareve me përfundimin e restaurimit cilësor të dy xhamive të mrekullueshme dhe teqesë, sistemimin e krejt hapësirave rekreative mes tyre dhe lidhjen me një shesh të ri të gurtë me lagjen muze, do të krijojë një tjetër hapësirë të bukur për banorët, vizitorët e turistët, duke e rritur më tej vlerën e banesave, si edhe aftësinë tërheqëse të këtij qyteti xhevahir të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Xhamia Mbret
Xhamia Mbret është një nga më të vjetrat në Berat, e ndërtuar nga Sulltan Bajaziti i II-të rreth vitit 1480. Xhamia përbëhet nga minareja, salla elutjeve dhe nga portiku. Faqet murale anësore kanë dritare të bollshme që sigurojnë ndriçim në pjesën e brendshme të objektit të kultit. Ndërtesa brenda ndahet në dy kate, arkitektura e të cilave përbëhet nga kolona, harqe dhe dekoracione shumëngjyrëshe. Gdhendja e drurit është një element i jashtëzakonshëm në këtë ndërtesë, pasuruar me finesë nga domethëniet fetare.
Teqeja Helvetive
Teqeja e Helvetive është një tjetër monument i qendrës mesjetare të Beratit dhe një nga realizimet më të mira të arkitekturës në qytet. Teqeja është ndërtuar në shekullin e XV-të dhe është rindërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në fund të viteve 70-të të shekullit XVIII. Objekti i përket sektit me të njëjtin emër dhe ndodhet në pjesën lindore të Xhamisë Mbret. Teqeja është e rrethuar nga oborri, i pasuruar me shumë konakë siç quhen në gjuhën lokale ballkonet.
Qyteti i Beratit, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë, falë Rilindjes Urbane në arrin të tërheqë në vit mbi 150 mijë turistë prej gjithë botës, nga 39 mijë turistë në vit që arrinte të tërhiqte më 2013.
Berati u shpall në 1961 zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, e ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta. /atsh/ KultPlus.com