30 Janar, 2019 - 4:45 pm
Qeveria e Maqedonisë ka nisur procedurat për fillimin e zbatimit në praktikë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht të gjuhës shqipe.
Zëdhënësi i Qeverisë së këtij shteti, Muhamet Hoxha ka thënë se në mbledhjen e së mërkurës të kabinetit qeveritar, ministrat shqiptarë për herë të parë i kanë mbajtur fjalimet e tyre në gjuhën shqipe.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka theksuar se me përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, mundësohet zgjidhja ligjore që në të njëjtën kohë paraqet shembull për përkushtimin e institucioneve që jo vetëm në mënyrë deklarative, por edhe në praktikë t’u mundësohet bashkësive etnike e drejta e përdorimit të gjuhës së tyre, shkruan REL, përcjell albinfo.ch
Qeveria gjithashtu ka marrë vendim për nisjen e procedurës për zbatimin në praktikë të emrit të ri të shtetit, “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Në të gjitha institucionet e nivelit qendror, si në objektin e Qeverisë, të ministrive, Kuvendit, vendkalimet kufitare e organe tjera, tabelat do të duhet të zëvendësohen me emrin e ri të shtetit, ndërsa një hap i tillë do t’iu rekomandohet edhe institucioneve të pushtetit lokal. Tabelat do të jenë edhe në gjuhën shqipe, ashtu siç është e rregulluar me ligj.
Vendimet e Qeverisë në Shkup janë marrë disa ditë pasi Kuvendi i Greqisë ka ratifikuar marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit 27 vjeçar të emrit.
Marrëveshja e arritur më 17 qershor të vitit të kaluar ka zhbllokuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO si dhe pritet të rezultojë me nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian./ KultPlus.com