21 Mars, 2019 - 9:06 am
Qeveria e Kosovës vazhdon që t’i japë vetes të drejtë që të vendosë edhe për ndërhyrjet në monumente. Në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore, në tetor të vitit të kaluar, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë” kishte vendosur që t’i ruhet pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohet në sallë koncertale.
“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018.
Të martën e ka ndryshuar vendimin. E ka hequr pikën tre. Pos kësaj, me ndryshimin e vendimit të katër muajve më parë, tash ka marrë përsipër të paguajë mbi 1.5 milion euro për shpronësim për të cilën shumë në vendimin e kaluar ngarkohej Komuna e Prishtinës.
Edhe kur kishte vendosur që monumentit t’i ruhet pamja e jashtme edhe tash që është tërhequr prej saj, Qeveria kishte marrë përsipër që të luajë rolin e Komisionit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, i cili vendos për ndërhyrjet në asetet e trashëgimisë kulturore që mbrohen nga shteti.